Botë

Bombardimet izraelite mbi Gaza, dhjetëra civilë të vrarë dhe qindra të plagosur

11.12.2023 15:07

Në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në Rafah në jug të Rripit të Gazës...

Në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në Rafah në jug të Rripit të Gazës, të bllokuar dhe në kampin e refugjatëve Nusejrat në pjesën qendrore humbën jetën 11 civilë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Avionët luftarakë izraelitë kanë bombarduar shtëpitë dhe shumë kampe të refugjatëve në jug dhe veri. Sipas OKB-së në këtë luftë shkelen të drejtat themelore të njeriut.
 
"Unë do të doja që të gjithë të mbajmë një moment heshtjeje për të nderuar dhe vajtuar viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Mendimet e mia shkojnë te miliona njerëz që vuajnë në mënyrë të padurueshme në territorin e pushtuar palestinez, veçanërisht në Gaza dhe shumë vende të tjera.", - deklaroi komisionari i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.
 
OBSh: Qasje e menjëhershme mjekësore në Gaza
 
Shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) kanë miratuar një rezolutë që kërkon qasje të menjëhershme mjekësore në Gaza. Rezoluta bën thirrje për akses të menjëhershëm të papenguar për ndihmë dhe për ata që luftojnë të respektojnë ligjin ndërkombëtar. Kjo do të thotë, asnjë sulm ndaj spitaleve apo punonjësve të shëndetësisë.
 
“Sigurisht, miratimi i kësaj rezolute është vetëm një pikënisje. Ajo nuk e zgjidh krizën, por është një platformë mbi të cilën mund të ndërtohet. Unë ju jap zotimin tim se unë dhe kolegët e mi do ta zbatojmë rezolutën sa më mirë që të jetë e mundur. Por përsëris se në kontekstin aktual, ndihma e qëndrueshme humanitare në shkallën e nevojshme thjesht nuk është e mundur. Pa armëpushim nuk ka paqe dhe pa paqe nuk ka shëndet.”, - theksoi drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Gebrejesus.
 
Blinken: Ne diskutojmë procesin, Izraeli vendos
 
Sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken, u shpreh se Izraeli është ai që vendos se  kur do të përfundojë sulmet në Gaza.
 
“Ne po diskutojmë procesin lidhur me sulmet kundrejt Gazës me Izraelin duke përfshirë edhe mënyrën se si po zhvillohet procesi në fjalë. Këto janë vendime që do t‘i marrë Izraeli. Por ne nuk do të kemi paqe të qëndrueshme dhe siguri të qëndrueshme për Izraelin për sa kohë që nuk plotësohen kërkesat politike të palestinezëve.", - u shpreh sekretari i shtetit amerikan, Antoni Blinken.
 
Rreth 18,000 palestinezë janë vrarë në bombardimet izraelite që nga 7 tetori. Numri i rishikuar i vdekjeve në Izrael është 1,500.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU