Botë
Berlin, Kurti takoi kancelarin gjerman, Sholc
11.12.2023 15:25
Zhvillimet në Ballkan, dialogu Kosovë-Serbi dhe përkushtimi i Kosovës në integrimet evropiane...
Zhvillimet në Ballkan, dialogu Kosovë-Serbi dhe përkushtimi i Kosovës në integrimet evropiane kanë qenë temë e takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me kancelarin gjerman Olaf Sholc.
Siç ka bërë të ditur vet Kurti në një postim në rrjetet sociale në takimin me shefin e qeverisë gjermane janë rikonfirmuar marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe vizioni i përbashkët si socialdemokratë për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.
“Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam edhe rreth dinamikës dhe situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut dhe përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian.”, – ka thënë Kurti.
Kurti gjatë vizitës në kryeqendrën gjermane në Berlin po ashtu ka marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë SPD-së. Fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat ishte fokus i bisedës edhe me sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedikta Lasi, si dhe me kryetarin e SPD-së, njëkohësisht deputeti i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, Kurti është takuar edhe me mërgimtarët, ku është biseduar mbi zhvillimet aktuale në Kosovë, por edhe për jetën e mërgimtarëve dhe përvojën e tyre, përshtypjet dhe idetë e Diasporës.
GYLTENE SINANI
