Maqedoni
VMRO-ja akuzon Spasovskin: Dështoi në zbardhjen e vrasjes së dyfishtë
11.12.2023 16:06
MPB-ja e Spasovskit dështoi plotësisht dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi...

MPB-ja e Spasovskit dështoi plotësisht dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi, akuzon opozitarja, VMRO-DPMNE. Për dy momente kyçe u gënjye opinioni edhe atë se vetura e Pançes së vrarë, me të cilin u krye rrëmbimi i Vanjës, nuk është kërkuar, përderisa vetura është raportuar e zhdukur në Veles. E dyta se vetura është e regjistruar në sistemin Qyteti i sigurt në lagjen Maxhari më 25 nëntor.
“Më së paku duam që informacionet që publikojmë të kuptohen në konotacion politiko-partiak. Por, ne jemi të obliguar të paralajmërojmë opinionin dhe të gjithë qytetarët për lëshimet në hetimin e ministrit Spasovski, si dhe për informacionet e gabuara që ata i kanë komunikuar, të cilat po të mos kishin ndodhur, vrasësit e Vanjës do të zbuloheshin dhe vrasja e dytë nuk do të ndodhte.”, - deklaroi Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë vijon ekspertiza e dy armëve të zjarrit, që lidhen me vrasjen e dyfishtë të 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski.
Spasovski për vrasjen e Vanjës: Vijon ekspertiza, pa detaje në të mirën e hetimit
Spasovski bën të ditur se nuk do të japë më shumë informacione për media, sepse nuk është në të mirën e hetimit. Sa i përket informacionit se një inspektor i cili është i lidhur me hetimin e vrasjes së dyfishtë ka dhënë informacione dhe fotografi, të cilat po shpërndahen në Shkup dhe këto mund të pengojnë hetimin, Spasovski tha se gjatë kësaj periudhe ka dëgjuar shumë informacione, spekulime, por nëse ky rast është i vërtetë do të ketë përgjegjësi.
“Për çdo lloj aktiviteti joligjor dhe që kryhet nga kushdo pa marrë parasysh se a është inspektor apo dikush tjetër, gjithsesi se do të ketë përgjegjësi nëse ekziston një gjë e tillë. Megjithatë nuk do të doja që të diskutoj në nivel të spekulimeve, e në veçanti për një rast të tillë.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
I pyetur nëse informatat për rastin e vrasjes së dyfishtë mund të jenë në favor të të dyshuarit kryesor, Lupço Palevski, që të mos ekstradohet nga Turqia, Spasovski sërisht decid se të gjitha spekulimet dhe gjithçka që do të bëhej publike do të ishte në dëm të hetimit që bën Prokuroria Publike.
FLUTURA LATIFI
