Maqedoni
Procesi i Berlinit, shënohen përfitimet, ngec agjenda e gjelbër
11.12.2023 16:22
Tregu i përbashkët rajonal, njohja e kualifikimeve profesionale...

Tregu i përbashkët rajonal, njohja e kualifikimeve profesionale, lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, ulja e tarifave të roamingut janë vetëm disa nga përfitimet e Procesit të Berlinit, u tha në panel-diskutimin në lidhje më këtë proces. Megjithatë ngec implementimi i agjendës së gjelbër për shkak të afatit kohor deri në vitin 2030.
“Se ka përfitime, sigurisht që ka dhe kjo shkon në favor të qytetarëve tanë dhe ekonomitë e vendeve anëtare si lëvizja me letërnjoftime, por edhe njohja e kualifikimeve profesionale që janë në dobi të të gjithë qytetarëve tanë.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arber Ademi.
“Sa i përket tregut të përbashkët rajonal shumë prej aktiviteteve janë miratuar dhe është filluar me implementimin, por ngec implementimi i agjendës së gjelbër duke pasur parasysh se plani aksional për agjendën e gjelbër vazhdon deri në vitin 2030 dhe është e pritshme një gjë e tillë, por aty janë të përfshira më shumë fonde dhe më shumë institucione.”, - theksoi Ana Marija Velinovska nga Instituti për Demokraci.
“Sa i përket iniciativës për uljen e tarifave të roamingut, e cila filloi nga viti 2018, me përgatitjet teknike ajo paraqet një arritje me të cilën të gjithë mund të krenohemi dhe e cila mund të paraqet bazë edhe për angazhime edhe më ambicioze.”, - u shpreh ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler.
Para Samitit të Tiranës, Ademi potencoi se është miratuar deklarata për një dimension më të gjerë parlamentare të procesit, ku vendet anëtarë do të ndikojnë si në përcaktimin e agjendës së krijimit të politikave, ndërsa implementimi është punë e vendeve anëtare.
GAZMEND KURTISHI
