Maqedoni

Zgjedhjet, VMRO-ja pa vendim për pjesëmarrje në Qeveri

11.12.2023 16:40

Partitë politike kanë filluar me përgatitjet intensive për procesin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare...

Partitë politike kanë filluar me përgatitjet intensive për procesin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, sërish i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së, si parti më e madhe opozitare që të propozojë kandidatët e saj për qeverinë teknike.
 
Ai duke komentuar kërkesën e opozitës shqiptare që të jenë pjesë e qeverisë teknike, tha se ligji përcakton saktë se ministrat i propozon opozita me më shumë deputetë. Çdo improvizim mund të hedhë njollë në të gjithë procesin zgjedhor, thotë kryeministri, duke shtuar se bëhet fjalë për një qeveri që duhet të përgatisë teknikisht zgjedhjet. 
 
Kovaçevski fton VMRO-në që të përmbushë obligimin 
 
“Besoj se nuk ka asnjë arsye e as pengesë që VMRO-DPMNE-ja të mos e përmbushë obligimin ligjor në këtë rast dhe Maqedonia e Veriut më 24 prill dhe 8 maj të ketë zgjedhje demokratike. Është e rregulluar me ligj se cilat pozita do të ndërrohen në Qeveri. Kjo është paraparë me ligjin për Qeverinë dhe Kodin Zgjedhor. Nuk mund të improvizojmë. Çdo improvizim gjatë implementimit të ligjeve mund të hedhë njollë në të gjithë procesin.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Nga VMRO-DPMNE-ja ende nuk kanë sjell vendim nëse do të jenë pjesë e qeverisë teknike. 
 
“Mbetemi në qëndrimin se në periudhën e ardhshme do të mblidhen organet e partisë, do të sillet një qëndrim definitiv dhe në kohë do ta informojmë opinionin.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki.
 
BDI-ja shqyrton detajet për presidencialet
 
Ndërsa kur jemi te zgjedhjet presidenciale, ajo që është e sigurt deri më tani është se me kandidat të saj do të del LSDM-ja, VMRO-DPMNE-ja, por edhe opozita shqiptare. Ndërsa nga BDI-ja thonë se ende nuk është diskutuar në detaje për këtë temë.
 
“Në kuadër të partisë, ende nuk kemi biseduar në detaje për këtë çështje, por se a do të marrim pjesë në zgjedhjet presidenciale. Po! Dhe kjo është konfirmuar në vendimin e kryesisë qendrore. Kryetari Ahmeti është i autorizuar që të bisedojë me të gjitha partitë politike në interes të zgjedhjeve presidenciale, por edhe parlamentare.”, - u shpreh deputeti i BDI-së, Arbër Ademi. 
 
Më 28 janar pritet të votohet për qeverinë teknike, në krye të së cilës do të jetë Talat Xhaferi, ndërsa pozitën që ai mban si kryetar i Kuvendit do ta marrë koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski. Votimi për kryetarin e ri të Kuvendit pritet të bëhet në mesin e muajit janar.
 
SANIJE DURAKU