Ekonomi
Odat ekonomike të Turqisë dhe Maqedonisë shqyrtojnë bashkëpunimin në tregun afrikan
23.03.2015 16:21
Kompanitë e Maqedonisë dhe ato të Turqisë po shqyrtojnë mundësitë për bashkëpunim eventual në tregun e Afrikës...

Odat ekonomike të të dyja vendeve sot u mblodhën në Shkup për të shkëmbyer përvojat, njohuritë dhe idetë e tyre për të marrë pjesë në tregun afrikan.
“Veçanërisht jemi koncentruar në disa vende të Afrikës, siç janë Algjeria, Tunisi, Maroko dhe Egjipti, për shkak se strategjia e partnerit turk ka qenë që në vitin 2003 e këndej gradualisht të përhapet në kontinentin afrikan. Do t’u tregoj një fakt se Republika e Turqisë në vitin 2003 ka pasur këmbim vetëm 2,3 miliard, ndërsa në vitin 2013 këmbimi tregtar mes vendeve të Afrikës dhe Turqisë ka arritur deri në rreth 30 miliard dollarë amerikan, atë po tentojmë ta bëjmë edhe ne”- deklaroi nënkryetarja e Odës Ekonomike të Maqedonisë, Jelisaveta Georgieva.
Maqedonia mund të investojë në tregun e Afrikës në sektorin e ndërtimtarisë, farmacisë, bujqësisë dhe në industrinë elektro-makinerike.
"Dua të theksoj se do të vazhdojmë të punojmë për të zmadhuar bashkëpunimin tregtar ndërmjet kompanive të Maqedonisë dhe kompanive turke, por edhe ndërmjet firmave të Maqedonisë që janë të interesuara për të investuar në tregun Afrikan”- tha kryetari i Këshillit të Biznesit turko-maqedonas, Hasan Hoshben.
“Me zmadhimin e çmimeve të derivateve vendet afrikane do të kenë më shumë mundësi për tregti, me çka do të krijohet një mundësi edhe për kompanitë turke, por edhe për kompanitë nga Maqedonia”- theksoi kryetari i Këshillit të Biznesit turko-afrikan, Tamer Tashkin.
Republika e Maqedonisë, për të depërtuar në tregun e Afrikës duhet të ndërtojë strategji për zhvillim të marrëdhënieve ekonomike dhe politike me vendet e Afrikës, vlerësuan përfaqësuesit e të dyja odave ekonomike.
ERSAN PAJAZITI
