Takim i tensionuar mes Zelenskit dhe Orbanit

12.12.2023 11:59

Një bisedë e shkurtër, por intensive....

Një bisedë e shkurtër, por intensive ishte ajo e presidentit, Volodimir Zelenski, me Orbanin, që kërkon të bllokojë aspiratat e Ukrainës për anëtarësimin në bllok,  madje edhe ndihmat e Evropës për Kievin.

Ai u takua me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në inaugurimin e presidentit të ri argjentinas, ditën e diel.

Samiti i BE-së nuk është i vetmi zhvillim i rëndësishëm i javës për Ukrainën. Zelenski do të vizitojë të martën Uashingtonin në përpjekjen për të shpëtuar paketën prej 60 miliardë dollarësh, që Kongresi e ka bllokuar. Xhon Kirbi, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë, tha: “Nuk jemi në pozitat për t’i premtuar gjë Ukrainës, duke parë situatën në Kapitol.”.

Presidenti amerikan, Xho Bajden, po i bën thirrje ligjvënësve të aprovojnë fondet, por ndihma ka mbetur peng e debateve të brendshme politike.

Republikanët kanë refuzuar t’i japin dritën jeshile, mes këmbënguljes për të siguruar më shumë para për kontrollin në kufirin me Meksikën.

Për Zelenskin, kjo do të jetë vizita e dytë në Shtëpinë e Bardhë që prej nisjes së luftës ruse në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.