Maqedoni

Kriza politike, BE pret përgjigje për ofertën për ndihmë

23.03.2015 17:05

Pavarësisht rekomandimeve nga jashtë, kriza politike në vend po thellohet nga dita në ditë...

Opozita vazhdon me publikimin e materialeve komprometuese, ndërkaq pushteti vazhdon të përhap të vërtetën e tij.
 
Aktorët politik dhe institucionet ende nuk i janë përgjigjur ofertës për ndihmë nga Bashkimi Evropian. Përballja e parë mes palëve, në një formë të tërthortë do të ndodhë në Parlamentin Evropian në kuadër të seminarit me temë: “Zhvillimi i kulturës politike dhe forcimi i dialogut politik për demokraci të qëndrueshme”, ku pritet të marrin pjesë Antonio Milloshoski, nënkryetar i parlamentit dhe deputet nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe Radmilla Shekerinska dhe Lidija Dimova nga LSDM, të ftuar si mysafirë special të grupit të socialdemokratëve evropian bashkë me deputetin, Lubomir Josifovski, nga PRSD, Talat Xhaferi nga BDI, Imer Aliu nga PDSH dhe Lubica Buralieva si deputete e pavarur.
 
Në ndërkohë, BDI, e cila ka kërkuar ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve në tejkalimin e krizës, pret që vendi t’i përgjigjet pozitivisht ndihmës së ofruar.
 
“Sa i përket dialogut politik duhet të ketë përgjigje pozitive në ofertën e Bashkimit Evropian që euro-parlamentarë të lehtësojnë këtë. Është me rëndësi që kërkesa nga BE është dialogu të rifillojë sa është e mundur më shpejtë dhe e dyta procesi gjyqësor të zgjidhet sipas parimeve të sundimit të së drejtës apo funksionimit të ligjit, të jetë proces me institucione të pavarura dhe transparente”- tha Fatmir Besimi nga BDI.   
 
Besimi, njoftoi se BE-ja është e gatshme që përveç ndihmës me eurodeputetë për rivendosjen e dialogut, të ofrojë edhe ndihmë shtesë në procesin gjyqësor.
 
Ndërmjetësimi zyrtar i treshes evropiane: Kukan, Houit dhe Vajgël për qetësimin e krizës politike në Maqedoni, jozyrtarisht, pritet të fillojë nga fundi i këtij muaji.
 
SHPËTIM NUREDINI