Botë

Gaza, ushtria izraelite: Po shkatërrojmë Hamasin

12.12.2023 14:22

Ushtria izraelite ka vazhduar operacionin në Rripin e Gazës, ndërsa pretendon se fushata e tij për ta shkatërruar Hamasin...

Ushtria izraelite ka vazhduar operacionin në Rripin e Gazës, ndërsa pretendon se fushata e tij për ta shkatërruar Hamasin po rezulton me sukses dhe se grupi palestinez ndodhet “në prag të shpërbërjes”. Po ashtu njoftohet për mbulimin e sasive të mëdha të armatimit të cilat kanë qenë të fshehura nëpër shtëpi. 
 
“Po i zbulojmë bastionet e fundit të Hamasit në Xhabalia dhe Shixhaja, dy vende që Hamasi i konsideronte të pathyeshme. Në mesin e atyre që u dorëzuan janë terroristë që morën pjesë në ngjarjet e 7 tetorit. Ata janë në prag të shkatërrimit.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
 
Luftime të ashpra po zhvillohen edhe në Rafa në kufi me Egjiptin ku ndodhen të strehuar edhe mijëra civilë. Luftimet janë përqendruar sidomos në qytetin jugor Kan Junis. 
 
"Ka shumë presion, mendoj se edhe ky dorëzim, si dhe njerëzit që dalin dhe ngrenë duart lart, po thyejnë shpirtin dhe kjo i përshpejton arritjet tona.", - theksoi pjesëtari i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi.
 
Hamasi ka thënë se përleshjet kanë ndodhur në qendër të Gazës, ndërsa dëshmitarët kanë raportuar për sulme vdekjeprurëse izraelite në jug të territorit. Sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 12 persona në qytetin jugor Rafah, afër kufirit me Egjiptin, ku dhjetëra mijëra njerëz tentojnë të strehohen, ka raportuar agjencia palestineze e lajmeve Wafa.
 
OBSh-ja reagon për krizën humanitare
 
Aktivistët humanitarë frikësohen se Gaza mund të kthehet shpejt në zonë të sëmundjeve dhe urisë së madhe, andaj janë duke shtuar presionin diplomatik ndaj Izraelit që të bëjë më shumë përpjekje për t’i mbrojtur civilët. OBSh-ja po ndihmon në evakuimin e pacientëve nga spitali “Allahli”.
 
“Asnjëherë nuk kam parë diçka të këtillë në jetën time, spitali është zonë ushtarake, të gjitha hapësirat janë mbushur me pacientë.”, - u shpreh përfaqësuesi i OBSh-së, Riçard Piperkorn. 
 
Bajden: Do të vazhdojmë ndihmën ushtarake për Izraelin
 
Edhe ShBA-ja ka ftuar Izraelin të bëjë më shumë për mbrojtjen e civilëve. Por, presidenti Bajden ka thënë se do të vazhdojë ndihma amerikane për Izraelin derisa nuk çlirohet nga Hamasi. 
 
“Do ta vazhdojmë ndihmën ushtarake, derisa nuk çlirohen nga Hamasi, por patjetër të jemi të kujdesshëm, bota mund ta ndryshojë qëndrimin brenda natës. Nuk guxojmë të lejojmë që kjo të ndodhë.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
 
Për gjendjen humanitare në Gaza ka reaguar edhe BE-ja. Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se civilët në Gazë po përballen me situatë katastrofike dhe e ka krahasuar shkatërrimin e territorit, me atë të Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Reagim për krizën humanitare dhe thirrje për ndërprerjen e konfliktit ka pasur edhe nga Kombet e Bashkuara. 
 
LEUNORA KALIQI