SPAK-u i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizim për arrestimin e Sali Berishës

12.12.2023 14:59

Pasi refuzoi tre herë të paraqitet para oficerëve....

Pasi refuzoi tre herë të paraqitet para oficerëve gjyqësorë ashtu siç e urdhëroi Gjykata e Posaçme, SPAK-u i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizim për arrestimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Kërkesa mban datën 12 dhjetor dhe firmën e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.

Sali Berisha po hetohet për korrupsion pasiv lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”, pasuar me ndërtimin e 19 kullave, si dhe fitimin, sipas SPAK-ut të 5,4 milionë eurove të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.

Dhëndri i ish-kryeministrit i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, pasi qëndroi një muaj në paraburgim, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash në këtë aferë.

Vetë Berisha tha se do të respektojë çdo vendim që do të merret lidhur me të.

Berisha nuk është paraqitur në SPAK në tri datat e caktuara 6 nëntor, 20 nëntor dhe 4 dhjetor. (Luljeta Ndoka, TVM2)