Maqedoni
Hulumtimi i ISK-së, besimi i publikut tek institucionet është i ulët
12.12.2023 15:50
Vetëm me transparencë më të madhe të institucioneve publike mund të sigurohet llogaridhënie...

Vetëm me transparencë më të madhe të institucioneve publike mund të sigurohet llogaridhënie për shpenzimin e parave të qytetarëve që rrjedhin nga buxheti i shtetit. Transparenca institucionale është përmirësuar vitet e fundit, por perceptimi i qytetarëve është ende zhgënjyes dhe besimi i publikut tek institucionet është i ulët. Kështu u tha në konferencën “Transparenca dhe llogaridhënia”, organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit.
“Nëse shohim rezultatet e besimit në informacionin që marrin qytetarët, edhe perceptimet e qytetarëve nuk janë pozitive. Një shumicë e madhe e qytetarëve janë skeptikë ndaj gjithçkaje që publikohet. Më shumë se gjysma nuk i besojnë fare asnjë informacioni të publikuar. 30 për qind supozojnë se është e besueshme dhe vetëm 14 për qind mendojnë se gjithçka e publikuar në media është e vërtetë.”, - deklaroi drejtoresha e ISK-së, Zhaneta Trajkovska.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se është i kënaqur me nivelin e transparencës së Qeverisë, sepse i përgjigjet kërkesave për qasje të lirë në informata dhe në përgjithësi për transparencë aktive. Sipas tij, vlerësimet negative nga qytetarët janë për shkak të perceptimit, jo të të dhënave statistikore.
“Për fat të keq probleme ka pasur për 30 vite, por ka pasur edhe qeverisje të cilat kanë tentuar që ato informacione mos të arrijnë deri te opinioni dhe të mos shpërndahen dhe të zgjidhen problemet. Transparenca aktive e institucioneve në vitin 2023 është 76%, në vitin 2021 ka qenë 63%, për dallim nga viti 2016 kur ka qenë 45%.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vend, Metju Lloson, tha se Mbretëria e Bashkuar është plotësisht e përkushtuar për të mbështetur Qeverinë në trajtimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës.
“Shumë hulumtime tregojnë se korrupsioni është një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve dhe unë mund të jem dëshmitar i kësaj kur udhëtojë nëpër vend. Qytetarët këtë ma përmendin si shqetësim kryesor të tyre. Korrupsioni dëmton ekonominë, demokracinë dhe prosperitetin dhe e minon cilësinë e jetesës, besimin në institucionet dhe kohezionin social të shoqërisë.”, - u shpreh ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në RMV, Metju Lloson.
Në bazë të anketës së bërë nga ISK-ja, qytetarët kryesisht informohen përmes televizioneve dhe mediave sociale, por më shumë se gjysma e të anketuarve apo 55,6% dyshojnë në gjithçka që publikohet në media. Pavarësisht dyshimit të madh, 36,6% e qytetarëve nuk e kontrollojnë botuesin e lajmit dhe 43,2% nuk kontrollojnë kurrë nëse lajmi ka autor të nënshkruar.
ERSAN PAJAZITI
