Maqedoni
Vrasja e dyfishtë, Bubevski: Deklaratat e të dyshuarve përputhen me provat
12.12.2023 16:50
Provat materiale që janë duke u shqyrtuar në vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit...

Provat materiale që janë duke u shqyrtuar në vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit janë në linjë të njëjtë me dëshmitë e dhëna nga ana e të dyshuarve. Kështu deklaroi prokurori publik në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, Gavril Bubevski. Për shkak të hetimit, ai nuk dha detaje për rastin, por tha se të gjitha faktet do të elaborohen në aktakuzë.
“Në lidhje me faktet që dalin nga i gjithë materiali dëshmues, më në fund do të nxjerrim aktakuzë. Hetimi në lidhje me veprimet është në nivelin që ju thashë herën e kaluar. Po shqyrtohen provat materiale dhe mund vetëm t’ju them se provat materiale flasin me të njëjtën gjuhë me të cilën folën edhe të dyshuarit.”, - deklaroi prokurori publik, Gavril Bubevski.
Lidhur me procedurën për ekstradimin e të dyshuarit të parë, Ljupço Palevski, i cili ishte i burgosur në Turqi, Bubevski tha se Prokuroria Publike e Shkupit i ka dorëzuar të gjitha gjërat e nevojshme për ekstradim.
Ditëve të fundit, ekspertët paralajmëruan se kualifikimet e ndryshme dhe ofendimet drejt të dyshuarve mund ta vështirësojnë ekstradimin e Palevskit, duke i dhënë argument para autoriteteve në Turqi, se shteti nuk do të garantojë gjykim të drejtë dhe me këtë një mundësi për të kërkuar azil. Për shkak të hetimit, rezultatet e autopsisë të cilat flasin për kohën dhe shkaqet e vdekjes nuk ndahen me opinionin. Versioni që kanë organet hetuese është se Vanja u vra nga një armë zjarri disa orë pas rrëmbimit. Një javë pas hetimeve për vrasjen e dyfishtë mbeten gjashtë të dyshuar, në mesin e të cilëve edhe babai i Vanja Gjorçevskës.
FLORIJE KAMBERI
