Maqedoni

Rekomandimet e misionit vlerësues të BE-së, sistemi gjyqësor në pikë kritike

12.12.2023 17:55

Sistemi gjyqësor ka arritur në pikë kritike...

Sistemi gjyqësor ka arritur në pikë kritike. Nevojiten aksione të shpejta për përmirësimin e këtij resori, thuhet në raportin e misionit vlerësues të BE-së, prej ku vijnë 40 rekomandime, ndërkaq 17 prej tyre janë që i miraton Këshilli Gjyqësor. Nëse në muajt në vijim Këshilli Gjyqësor arrin t’i implementojë këto rekomandime,  mund të quhet punë revolucionare e këtij trupi, theksoi  në brifing me gazetarë, euroambasadori, Dejvid Gir. 
 
40 rekomandimet kanë të bëjnë me strukturën dhe kompetencat e Këshillit Gjyqësor, mandatin e anëtarëve, vlerësimin, selektimin dhe emërimin, procedurën disiplinore, transparencën në komunikim me publikun, si dhe me financimin e Këshillit. Euroambasadori sqaroi se 23 rekomandimet tjera  kërkojnë ndryshime ligjore dhe kushtetuese dhe kanë të bëjnë me atë se kush mund të jetë anëtarë i Këshillit Gjyqësor, sa duhet ta ketë mandatin  dhe cilat mund të jenë pasojat e mandatit të gjatë. Në brifing me gazetarë nuk u shkua me detaje, por u tha se mandati prej gjashtë vitesh është i gjatë dhe rekomandohet të shkurtohet.
 
Bashkimi Evropian, siç tha euroambasadori Gir,  pret që këto rekomandime të përfshihen në politikat e reformave gjyqësore dhe gjithashtu të jenë edhe në maja të Qeverisë së ardhshme, implementimi i të cilave kërkon vullnet politik. Njëherit euromabasadori përcolli mesazhin e vetëdijes se reformat në gjyqësor janë të patjetërsueshme për integrimin e vendit dhe sipas tij, politikanët këtë detyrë e dinë shumë mirë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU