Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, rezolutë që kërkon armëpushim në Gaza

13.12.2023 11:12

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), me shumicë dërmuese ka miratuar projekt-rezolutën...

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), me shumicë dërmuese ka miratuar projekt-rezolutën që kërkon armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza. Asambleja e përbërë nga 193 anëtarë, mbajti seancë urgjente për Palestinën, ndërsa rezoluta jodetyruese, e paraqitur nga Egjipti me mbështetjen e afër 100 vendeve,  kaloi me 153 vota pro. Dhjetë vende, përfshirë ShBA-në, Izraelin dhe Austrinë, votuan kundër rezolutës, ndërsa 23 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë dhe Ukrainën, abstenuan nga votimi.
 
“Fakti i çështjes është e thjeshtë: Dhuna duhet të ndalet. Prandaj, edhe njëherë ia shtoj zërin tim kërkesës për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Ne kemi një prioritet të vetëm – të shpëtojmë jetë.”, - deklaroi presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Denis Francis.
 
“Miratimi dhe zbatimi i projekt-rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme, e cila specifikisht thirret për armëpushim është garancia e vetme për shpëtimin e civilëve të pafajshëm. Paragrafi gjashtë i preambulës është shumë i balancuar dhe neutral, pavarësisht nga ajo që disa pretendojnë, ai thekson nevojën për mbrojtjen e civilëve nga të dyja palët në përputhje me ligjin.”, - u shpreh përfaqësuesi i përhershëm i Egjiptit në Kombet e Bashkuara, Osama Mahmud Abdel Khalek Mahmud.
 
Përveç kërkesës për armëpushim, rezoluta shpreh shqetësim të madh për “situatën katastrofike humanitare” në Rripin e Gazës dhe vuajtjet e civilëve palestinezë, dukë përfshirë sulmet nëpër spitale. ShBA-ja propozoi një ndryshim në rezolutë për të dënuar grupin palestinez, Hamas, për sulmin e tij të 7 tetorit. Ndërsa Izraeli, mbështetjen për Palestinën e quajti të politizuar dhe qëndrimin e vendeve anëtare të njëanshëm.
 
“Asnjë copë letër, veçanërisht ajo që është miratuar nga një shumicë e politizuar e njëanshme, nuk do ta pengojë Izraelin të mbrohet kundër atyre që kërkojnë shkatërrimin tonë. Nëse synimet e këtij organi janë të drejta, pse nuk filloni duke kërkuar armëpushim vetëm nga ata që janë përgjegjës për shkeljen e dy të fundit?”, - theksoi ambasadori izraelit, Gilad Erdan.
 
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por ato kanë peshë politike.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU