Sulme me raketa në Kiev, raportohet për dhjetëra të plagosur
Mbetjet e raketave ruse të rrëzuara....

Mbetjet e raketave ruse të rrëzuara prej mbrojtjes ajrore ukrainase, kanë dëmtuar një spital dhe një ndërtesë banimi në kryeqytetin ukrainas Kiev, duke plagosur të paktën 50 persona, kanë thënë autoritetet e qytetit.Sulmi ka ndodhur teksa presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky ka qenë jashtë vendit, në një vizitë në Uashington, ku presidenti amerikan, Xho Biden, ka paralajmëruar që Rusia po pret që Shtetet e Bashkuara ta braktisin Ukrainën.
Mbrojtja ajrore ukrainase ka thënë se Rusia i ka nisur 10 raketa drejt Kievit, të cilat janë rrëzuar. Gazetarët kanë raportuar për shpërthime dhe lëshim të sirenave.
Kryetari i Kievit Vitali Klitschko, ka thënë se si pasojë e mbetjeve të raketave është dëmtuar edhe një rrjet i furnizimit me ujë. Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
