Maqedoni

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, debat i ashpër për anëtarin e KShZ-së

13.12.2023 13:55

Nga 5 kandidatët e paraqitur në shpalljen për plotësimin e vendit të anëtarit të KShZ-së...

Nga 5 kandidatët e paraqitur në shpalljen për plotësimin e vendit të anëtarit të KShZ-së që ka mbetur i zbrazët pas emërimit të anëtarit të ASh-së, Krenar Lloga, për ministër të Drejtësisë, kushtet i plotësojnë vetëm tre prej tyre: Berat Dauti, Zulfi Adili dhe Samir Rakipi.
 
Dy kandidatët e tjerë nuk i plotësojnë kushtet, përkatësisht Abdush Demiri, ekonomist i diplomuar nga Tetova, është sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes “Besa”, Robert Trajkovski, magjistër nga Kumanova, nuk ka dëshmi për përvojë pune.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Për Zgjedhje Dhe Emërim, Marija Gjorgjievska.
 
Reagoi deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli, sipas të cilit në momentin e dorëzimit të kandidaturës së Abdush Demirit janë konsultuar shërbimet juridike të komisionit.
 
“Pse luani lojëra të këtilla? Çfarë ju duhen lojërat e këtilla? Kjo nuk do t’ju kalojë, e dini edhe vet se nuk do t’ju kalojë. Pse luani me ligjin, pse luani me procesin zgjedhor? Nuk ju kuptoj juve të LSDM-së, pse luani me logjikën e BDI-së dhe Aleancës?”, - theksoi Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.
 
U kundërpërgjigjën deputetët e shumicës parlamentare.
 
“Ja, saktësisht zgjedhje e KShZ-së, thuhet se kryetari, nënkryetari dhe anëtarët e KShZ-së mund të jenë njerëzit të cilët i plotësojnë këto kushte, të jetë shtetas i RMV-së, të ketë të kryer arsimim të lartë dhe të mos jetë anëtarë i organeve të partisë politike, nuk thotë të mos jetë anëtarë i partisë, por të organeve të partisë. Këtë, zotërinjtë nuk mund ta dallojnë, të qenit anëtarë i partisë dhe anëtarë i organeve. Kandidati në fjalë në momentin e paraqitjes për anëtar të KShZ-së ka qenë sekretar i përgjithshëm i “Besës”.”, - u shpreh Arben Ziberi nga BDI-ja.
 
“Kjo është veb faqja e “Besës” në shqip, shkruan sekretari gjeneral, kur ta klikoni qëndron Abdush Demiri.”, - theksoi Goran Misiovski nga PRSD-ja.
 
Insistimi i deputetit të Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli, se kandidati i kësaj partie Abdush Demiri i plotëson kushtet, mori mbështetje nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, sipas së cilës anëtari i KShZ-së në këtë rast i takon  opozitës shqiptare.   
 
FITORE DEMOLLI