Botë

13 kryetarë të Komiteteve të Jashtme të BE-së kërkojnë heqjen e masave ndaj Kosovës

13.12.2023 14:14

Trembëdhjetë kryesues të Komiteteve për Punë të Jashtme në vendet e BE-së...

Trembëdhjetë kryesues të Komiteteve për Punë të Jashtme në vendet e BE-së i kanë bërë thirrje përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak, që t’i largojnë të gjitha masat negative ndaj Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur kryesuesja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alisia Kearns, e cila ka njoftuar se në letër kërkohet të bëhet një hetim i plotë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë, ku u vra një pjesëtarë i policisë së Kosovës. 
 
“Sot 13 kryesues të Komiteteve Parlamentare nëpër Evropë u kanë bërë thirrje Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut që të njoftojnë në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, fundin e të gjitha masave negative ndaj Kosovës dhe hetimin e plotë ndaj sulmit në Banjskë dhe të publikojnë rezultatet.”, ka shkruar Kearns në platformën “X”.
 
Ajo njëherit kërkon që i akuzuari për sulmin terrorist të 14 shtatorit në Kosovë, Millan Radojçiq, të ekstradohet në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë.
 
Osmani: BE-ja t’i heq masat e padrejta ndaj Kosovës
 
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen. Presidentja Osmani, përmes platformës “X” ka falënderuar kryesuesen e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar dhe të gjithë kryetarët e tjerë të komisioneve parlamentare në Evropë për mbështetjen që po i japin Kosovës. 
 
“Faleminderit Alisia Kearns dhe të gjithë kryetarët tjerë anembanë Evropës për mbështetjen tuaj. Paqja dhe siguria janë themeli i një të ardhmeje të begatë për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Paqja dhe siguria lulëzojnë kur përgjegjësia dhe drejtësia vihen në qendër të vëmendjes. Masat e padrejta ndaj Kosovës duhet të hiqen!”, ka shkruar presidentja Osmani, e cila vuri në dukje se paqja dhe siguria lulëzojnë kur përgjegjësia dhe drejtësia vihen në qendër të vëmendjes.
 
GYLTENE SINANI