Këshilltarët e BDI-së: Kasami po e shkatërron arsimin
Këshilltarët e BDI-së në komunën e Tetovës....

Këshilltarët e BDI-së në komunën e Tetovës reagojnë pas dorëheqjes së drejtorit të shkollës fillore “Istigball”, ndërsa akuzojnë kryetarin e komunës, Bilall Kasami se po shkatërron arsimin.
Ata kërkojnë që politika t’i mbajë larg duart nga arsimi.
“Politika duhet t’i mbajë larg duart nga institucionet arsimore, por udhëheqësit e komunës së Tetovës, shkollat dhe arsimin e shohin si sferë për pazare politike dhe rehati të militanteve të tyre. Dëshmi më e mirë është edhe ngjarja e fundit me ish-drejtorin, Zija Ademi, i cili dje ka pohuar për mediat nacionale e rajonale se dorëheqjen e ka deponuar nga presioni i madh politik nga përfaqësues të komunës së Tetovës.” - deklaroi këshilltari i BDI-së, Sali Elmazi.
Kasami: Nuk janë të vërteta akuzat për presion në shkolla
Këto akuza i hedh poshtë kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili tha se nuk ka pasur asnjë presion kundër ish-drejtorit të shkollës fillore “Istigball”. Ndërsa porositi ministrin që t’i marrë të gjitha ingerencat e shkollave, pasi i njëjti ka ulur në 300 mijë euro buxhetin e shkollave në Tetovë.
“Nuk ka aspak presion, pasi drejtori ka mundur të mos japë dorëheqje dhe këtë që e ka denoncuar në ministri, ka mundur ta denoncojë këtë rast duke pasur parasysh se ministria ka mundësi dhe inspektorati që është në kuadër të ministrisë ka mundur të veprojë. Pra, këtë radhë po bëhet fjalë për një keqpërdorim klasik politik dhe bëhet fjalë për një dorëheqje si të gjitha të tjerat.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Këto komente Kasami i bëri gjatë përurimit të murit mbajtës në rrugën e Banjës së Tetovës, i cili mur më herët i rrezikonte të gjithë qytetarët që frekuentonin këtë rrugë. (Visar Sadiku, TVM2)
