Maqedoni
Kasami: Janë shkurtuar mjetet për shkollat
13.12.2023 14:48
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka deklaruar se buxheti i shkollave të kësaj komune është shkurtuar për 300 mijë euro...

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka deklaruar se buxheti i shkollave të kësaj komune është shkurtuar për 300 mijë euro. Për këtë ai ka lëshuar kritika në adresë të ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri.
“Me 300 mijë euro është shkurtuar buxheti i shkollave dhe nëse mendon ministri se me këto mjete mund të funksionojnë shkollat, atëherë le t’i marrin të gjitha shkollat në ingerenca të Qeverisë, siç e kanë marrë shkollën e mesme të Bujqësisë dhe të shohim si ato do të menaxhojnë.”, - deklaroi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.
Ankesa e komunës së Tetovës dhe Çairit, Shaqiri: Do t’i sigurojmë mjetet e nevojshme
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, është kundërpërgjigjur duke sqaruar se vlera e bllok-dotacioneve mund të ndryshojë me ribalancin e buxhetit, ndaj apeloi te komuna e Tetovës dhe ajo e Çairit që mos të shqetësohen, pasi nuk do t’u mungojnë mjetet.
“Për arsye të rritjes së pagave që vitin e kaluar ndodhi në janar dhe shtator, kjo rritje duhet të jetë edhe më tepër në dallim me mungesën të cilën ato e kanë paraqitur, por e dimë që viti kalendarik është 12 muaj. Gjatë vitit kalendarik e dimë që komunave, bllok-dotacionet u rriten edhe gjatë periudhës së vitit kalendarik pas ribalanceve të ndryshme buxhetore dhe i siguroj të dy komunat që ashtu siç nuk u ka munguar asnjë gjë në vitin paraprak, nuk do t’u mungojë as këtë vit.” - theksoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
Paralelja shqipe në Cashkë, Shaqiri: Mësimi shqip është e drejtë kushtetuese
Shaqiri njëherit e quajti të papranueshme kërkesën e prindërve të fëmijëve të shkollës "Todor Janev" në komunën e Çashkës, që fëmijët për të cilët ka dhënë pëlqimin të mësojnë në gjuhën shqipe në paralelen e sapoformuar, të vazhdojnë mësimin në fshatin Slivnik, i cili i përket komunës së Velesit.
“Unë nuk pranoj asnjë lloj kërkese të tillë, përderisa ajo e cila është e drejtë kushtetuese e gjithsecilit e garantuar në atë shkollë. Dua të apeloj deri te të gjithë qytetarët e vendit, që ato fëmijë nuk janë as me subjektet politike, nuk dinë as për parti politike, nuk dinë as për zgjedhje parlamentare, as për zgjedhje lokale që dikush të ndalojë të drejtën e tyre kushtetuese për të mësuar në gjuhën shqipe.”, - u shpreh ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
Këto deklarata, ministri Shaqiri i bëri me rastin e mbylljes së Tëininng projektit “Mbështetje e mëtejshme për implementimin e Kornizës Kombëtare për Kualifikime”.
ERSAN PAJAZITI
