Pendarovski: Atje ku nuk sundon e drejta, sundon paraja

13.12.2023 15:14

Lufta kundër korrupsionit kërkon udhëheqje etike...

Lufta kundër korrupsionit kërkon udhëheqje etike nga vetë institucionet, të cilat duhet këmbëngulur për hetime në kohë të duhur dhe vendime fuqiplota. Kështu u shpreh presidenti Stevo Pendarovski në seancën plenare të Konventës Nacionale, ku u diskutua mbi vlerat themelore evropiane.

Aty ku nuk sundon e drejta, sundon paraja, shtoi Pendarovski, dhe ju bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të përfshihen në mënyrë konstruktive në këtë proces.

“Për të reduktuar në mënyrë drastike korrupsionin, duhet të insistojmë jo vetëm në hetime, por në vendime përfundimtare që tregojnë se ligjet zbatohen njësoj për të gjithë, edhe për më të fuqishmit dhe më të pasurit.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.

Gir: Nuk ka përparim real në sundimin e së drejtës

Reforma në gjyqësor kërkoi edhe ambasadori evropian në vend, Dejvid Gir. Ai sërish nënvizoi 40 rekomandimet e Komisionit Vlerësues që Këshilli Gjyqësor duhet të zbatojë, duke thënë se shteti nuk ka përparim real në sundimin e së drejtës.

“Raporti për shtetin tregoi se nuk ka përparim. Raporti tregon se kushtet e lidhura me shkarkimin kontrovers të kryetarit të mëparshëm të Këshillit Gjyqësor dhe mungesën e besimit mes gjyqtarëve dhe institucioneve, raporti kërkon gjithashtu që të bëhen përpjekje në rastet e frikësimit të gjyqtarëve. Komisioni Vlerësues publikoi rekomandimet e tij këtë javë dhe arriti në përfundimin se funksionimi i Këshillit Gjyqësor rezulton me probleme të grumbulluara nga e kaluara dhe të cilat nuk zgjidhen në kohë dhe në mënyrë sistematike.”, - theksoi ambasadori evropian, Dejvid Gir.

Georgiev: Problemet janë akumuluar me vite

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Georgiev, duke mos dashur të japë shumë informacione, tha se janë probleme të vjetra, por një pjesë në raport, sipas ligjit është e zbatueshme.

“Ky raport është dhënë me rekomandime për një periudhë të shkurtër, të mesme dhe më të gjatë, ku disa situata të konstatuara duhet të rregullohen me ndryshime ligjore. Nga vetë raporti është shumë e qartë se bëhet fjalë për probleme të akumuluara me vite të tëra dhe ja tani përballemi me këto probleme.”, - u shpreh kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev.

Nga 40 rekomandimet e Komisionit Vlerësues për Këshillin Gjyqësor, 17 janë të realizueshme menjëherë, pasi nuk duhen ndryshime kushtetuese. Nga Këshilli Gjyqësor njoftojnë se do të caktojnë seancë publike, ku në detaje do të shqyrtohen rekomandimet. (Sanije Kasami, TVM2)