Botë

Propozim-buxheti për vitin 2024, vazhdon shqyrtimi i amendamenteve

13.12.2023 15:27

Në Komisionin për Financa dhe Buxhet vazhdon shqyrtimi amendamenteve kryesisht të partive opozitare....

Në Komisionin për Financa dhe Buxhet vazhdon shqyrtimi amendamenteve kryesisht të partive opozitare. Opozita akuzon Qeverinë për mosshpërndarje të drejtë të mjeteve buxhetore për projekte infrastrukturore. Nga opozita kërkojnë që të ndahen mjete për rrugët në pjesën e Maqedonisë juglindore, rrugë të cilat janë të rëndësishme dhe për korridorin 8.  
 
“Është për keqardhje që ky buxhet megaloman prej 5,5 miliardë eurove të mos ndahen 1 milion euro për t’u ndihmuar qytetarëve të Maqedonisë juglindore, ku flasim për projekte infrastrukturore. Me këtë buxhet megaloman, Qeveria paguan mbi 200 milion euro për “Behtel dhe Enka”, ku ende nuk është ndërtuar asnjë metër autostradë, ndërsa nga ana tjetër kemi nevojë thelbësore për t’u ndërtuar rrugët.  Flasim për komuna që janë pjesë e korridorit 8 dhe Qeveria duhet të brengoset për të siguruar mjete për të rikonstruuar këto rrugë.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane  Petrushevski.
 
Deputetja Ristova nga radhët e shumicës parlamentare thotë se VMRO-DPMNE-ja di vetëm të akuzojë pa argumente dhe kërkon nga opozita të rishikojnë projektet për infrastrukturë për t’u bindur se nuk ka qasje selektive në projekte.
 
“Edhe ju e dini se në suaza të projekteve infrastrukturore keni fituar më shumë se 1 milion euro për rekonstruuim të rrugëve në komunën tuaj. Shikoni projektin për infrastrukturë dhe sa mjete ka ndarë kjo Qeveri për komunën tuaj dhe nuk është Qeveri selektive.”, - theksoi deputetja e shumicës, Ristova.
 
Kryesisht propozim-amendamentet e opozitës ishin për projekte infrastrukturore, ndërtim dhe rikonstruim të rrugëve, kanalizim, ndërtim të urave, por ato u refuzuan. 
 
GAZMEND REXHEPI