Koalicioni “Të gjithë për një gjykim të drejtë”: Ky vit, një nga vitet më të këqija për gjyqësorin

13.12.2023 15:40

Një sërë lëshimesh dhe veprime jokorrekte....

Një sërë lëshimesh dhe veprime jokorrekte konstatoi koalicioni “Të gjithë për një gjykim të drejtë” në monitorimin e rregullt vjetor të punës së Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë. Edhe pse duhet të jenë garanci për pavarësinë e gjyqësorit, këshillat shërbejnë vetëm për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësojnë nga koalicioni “Të gjithë për një gjykim të drejtë”. 

“Ka pasur një anketë mbi perceptimin e gjyqtarëve për korrupsionin në gjyqësor. Nuk ka pasur asnjë seancë të vetme ku ndonjë nga këto këshilla të diskutojë akuza të tilla, për të pranuar se të paktën i kanë perceptuar dhe përjetuar si serioze. Nuk kemi parë diçka të tillë, asnjë proaktivitet. Fatkeqësisht, pamë një reagim të dobët nga gjyqtarët dhe prokurorët publikë ndaj situatave kur duhej të kishte një lloj qëndrimi të organizuar nga ana e tyre. Këtu e kam fjalën veçanërisht për ndryshimet në Kodin Penal, të cilat patën një ndikim të madh, të paktën në ato raste të profilit të lartë, të ekspozuara nga media, veçanërisht në rastet e korrupsionit të lartë, sepse pikërisht ato dënime u reduktuan.”, - theksoi Darko Avramovski nga Koalicioni “Të gjithë për një gjykim të drejtë”.

“Hulumtimet dhe analizat e Koalicionit “Të gjithë për një gjykim të drejtë” japin një kontribut për edukimin juridik dhe vëzhgimin e pyetjeve kyçe që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.”, - u shpreh kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi.

Për raportin e misionit vlerësues të BE-së, i cili e ka analizuar Këshillin Gjyqësor dhe zgjidhjen ligjore dhe ka dhënë 40 rekomandime për përmirësimin e gjendjes, prej të cilave 17 rekomandime varen ekskluzivisht nga Këshilli dhe jo nga amendamentet ligjore apo kushtetuese, nga Koalicioni thonë se presin ta marrin raportin që të mund të japin qëndrimin e tyre. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)