Bytyqi: Nga 1 janari i vitit 2024 nuk do të ketë rritje të çmimit të rrymës

13.12.2023 16:19

Paralajmërimet se nga 1 janari i vitit 2024....

Paralajmërimet se nga 1 janari i vitit 2024 qytetarët do të paguajnë çmime më të larta të energjisë elektrike, për TVM2 i përgënjeshtron zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Ai garanton  qytetarët të cilët i takojnë kategorisë të bllok-tarifës së parë dhe të dytë, se nuk do të preken, ndërsa ato që janë pjesë e kategorisë së tretë dhe të katërt, sipas Bytyqit duhet të paguajnë çmimin real të tregut.

“Pritja imë është që në janar nuk do të kemi rritje të tillë, ashtu siç këto ditë disa media insistonin që ta nxjerrin. Unë garantoj se ata të cilët shfrytëzojnë në mënyrë racionale energjinë elektrike dhe i takojnë kategorisë së bllok tarifës 1 dhe 2 nuk do të ketë fare rritje çmimit të energjisë elektrike. Ata që janë në bllok tarifën 3 dhe 4, qëndrimi im individual është që realisht duhet të jenë në gjendje që të paguajnë çmimin e tregut të energjisë elektrike, sepse ata janë një kategori shumë e vogël e popullatës rreth 3%.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.

Deri në fund të javës do të dihet edhe çmimi i rrymës, që do të vlejë nga 1 janari. Bytyqi shton se shpenzimet e parashtruara nga ana e kompanive energjetike jo gjithmonë pranohen. 

“Gjithmonë në vitet paraprake ka qenë situatë e ngjashme që ka kërkesa shumë më të mëdha që rritja të jetë mbi 20%, në fund vendimi ka qenë të mos pranohen të gjitha shpenzimet që ata i parashtrojnë. Qëndrimi ynë si Qeveri është se nuk duhet të ketë rritje të çmimit.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.

Këto komente Bytyqi i bëri gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për rikonstruimin e Xhez Orkestrës në ambientet e Operës dhe Baletit Kombëtar. (Gazmend Kurtishi, TVM2)