Maqedoni

Pakoja e nëntë e masave antikrizë, Kuvendi miratoi ndihmat për kategoritë e rrezikuara

13.12.2023 16:38

Pakoja e nëntë e masave antikrizë u votua në Kuvend....

Pakoja e nëntë e masave antikrizë u votua në Kuvend. 78 deputetë e mbështetën ligjin përfshirë deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët paraprakisht nuk kursyen kritika. Sipas tyre, miratimi i masave të tilla flet për gjendjen e lartë të varfërisë në vend. Vlerësojnë se ndihmesa nuk është zgjidhje sistematike, por e çastit.
 
“Shifrat që ofrojnë drejtues të institucioneve janë nënçmuese ndaj qytetarëve, gjegjësisht ndaj pensionistëve, nxënësve të shkollave të mesme dhe kategorive të tjera të rrezikuara të qytetarëve. Përmendin shifrën prej 660 milion euro, që është e pavërtetë dhe nëse hapni materialin e propozim-ligjit, do të shihni se nga ato 660 milionë euro, praktikisht më pak se 10% do të përfundojnë si ndihmë direkte ndaj qytetarëve.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
 
Nga LSDM-ja vlerësojnë se pakoja antikrizë është një ndihmesë evidente në këto kohëra krize.
 
“70 mijë nxënës të shkollave fillore do të përfitojnë ndihma, 35 nxënës të shkollave të mesme, 15 mijë studentë, mbi 16 mijë persona socialë, prindër që vetë kujdesen për fëmijët, persona me aftësi të kufizuara. Ju konsideroni se këtyre personave, përderisa po zgjat kriza ekonomike dhe energjetike, nuk u nevojitet që t’u jepen këto masa dhe ju thoni se këto janë thërrime. Për ju ndoshta janë thërrime, jetoni në pallat nga paratë e vjedhura të qytetarëve, megjithatë pyetni qytetarët nëse ndihmat janë thërrime.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska. 
 
Për prindërit që vetë përkujdesen për fëmijët parashikohet ndihmë në vlerë prej 2 mijë denarëve në periudhë prej pesë muajve. Pensionistët që marrin pensione deri në 19 mijë denarë është parashikuar ndihmë prej 1 mijë e 500 deri në 3 mijë denarë, familjet të cilat kanë fëmijë në shkollë dhe të ardhura deri në 50 mijë denarë, deri në fund të vitit shkollor do të marrin nga 1,200 denarë për fëmijë në shkollë fillore dhe 1,800 denarë për fëmijë në shkollë të mesme. Vauçerë për transport janë parashikuar edhe për studentët të cilët studiojnë jashtë vendbanimit të tyre. Pagesa e ndihmave në para do të nis nga ky muaj.
 
MERAL ISMAILI