Maqedoni
Rasti “Llaskarca”, Prokuroria: Të shpallen fajtorë 6 të akuzuarit
14.12.2023 13:44
Prokuroria kërkon të shpallen fajtorë të gjithë të akuzuarit në rastin “Llaskarca”...

Prokuroria kërkon të shpallen fajtorë të gjithë të akuzuarit në rastin “Llaskarca”, që ka të bëjë me fatkeqësinë e komunikacionit të autobusit të “Durmo Turs” në vitin 2019, ku e humbën jetën 16 persona. Prokurori, Darko Jakimovski, në fjalën përfundimtare të Prokurorisë në Gjykatën Penale në Shkup, duke kundërshtuar mbrojtjen, duke u thirrur në ekspertizat e kryera, theksoi se përgjegjësia për aksidentin tragjik bie mbi gjashtë të akuzuarit.
“Ekspertët e makinerisë në korrelacion me aspektet normative, rregullat dhe standardet në punë, qartë i kanë detektuar lëshimet e të gjithë të akuzuarve në pjesën e problemeve teknike të autobusit të cilat në kontinuitet kanë ekzistuar deri në momentin e fatkeqësisë.”, - deklaroi prokurori, Darko Jakimovski.
Duke u thirrur në ekspertizën e Fakultetit Elektro-teknik, prokurori tha se shpejtësia e regjistruar nga topografi ishte e manipuluar.
“Eksperti prof. dr. Josif Qosev nga Fakulteti i Elektro-teknikës ka bërë ekspertizë me të cilën dëshmoi se shpejtësia e regjistruar në topograf nuk ishte e vërtetë. Në bazë të diagrameve i ka lexuar të gjitha dallimet e shpejtësisë në momentet kyçe të fatkeqësisë. Të përkujtoj se ekspertët e angazhuar nga të akuzuarit thonë se kjo është e pakontestueshme dhe është dëshmuar.”, - deklaroi prokurori, Darko Jakimovski.
Sipas prokurorit Jakimovski, asnjë fakt nuk është vënë në dyshim nga ana e mbrojtjes në mënyrën e njohur dhe të pranuar nga ana e shkencës së komunikacionit. Të akuzuar në rastin e fatkeqësisë në Llaskarcë janë: pronari i kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli; përgjegjësi për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit, Manoill Trifunovski, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës së rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Gjithashtu të akuzuar janë edhe tre të punësuarit në stacionin e kontrollit teknik: Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Babarovski, të cilët ngarkohen si bashkëpjesëmarrës në veprën e njëjtë.
BELINDA KOKA ADEMI
