Duka: Kombëtarja, ambasadorja më e mirë e Shqipërisë

14.12.2023 14:20

Futbolli, veçse i ka bashkuar shqiptarët....

Futbolli, veçse i ka bashkuar shqiptarët përmes Kombëtares, ka shërbyer si një instrument i fuqishëm për ta kthyer ekipin kuqezi në një ambasador të denjë për vendin tonë. Kualifikimi në “EURO 2024” është një reklamë për Shqipërinë dhe treguesi më i qartë i punës së bërë nga FSHF për rritjen e futbollit në vend. Veç përfaqësimit në Europian, futbolli shqiptar përfaqësohet më së miri në Europë edhe në rrafshin institucional UEFA.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pasi u bë pjesë e Komititet Ekzekutiv në vitin 2019, në prill të këtij viti u zgjodh edhe zëvendëspresident i UEFA-s.

Një përgjegjësi më shumë, gjë që kreu i FSHF e thotë edhe në intervistën e dhënë për “Tirana Diplomat”.

Presidenti Duka flet edhe për ndikimin që ka Kombëtarja kuqezi në rrafshin diplomatik, si dhe për takimet e shpeshta që ai ka pasur me diplomatë të vendeve të ndryshme.

“Shqipëria e futbollit është shndërruar në një faktor bashkimi shqiptarësh nga të gjitha trojet. Si President, prej dy dekadash, a ka qenë kjo një strategji e FSHF edhe në optikën e një diplomacie sportive, të cilën shteti shqiptar nuk mund ta luajë dot? – Kombëtarja është padyshim ambasadorja më e mirë e Shqipërisë në rrafshin diplomatik. Kjo u dëshmua veçanërisht në finalet e Euro Francë 2016, kur e gjithë media ndërkombëtare raportonte çdo ditë për Shqipërinë e futbollit, duke promovuar kështu një imazh fantastik për vendin kudo. Përmes futbollit Shqipëria ka përftuar promovimin më të mirë të mundshëm. E njëjta gjë edhe tani pas kualifikimit për në finalet e Euro 2024, të gjithë shkruajnë dhe flasin për Kombëtaren dhe i bëjnë jehonë arritjeve të futbollit shqiptar.Dhe nga këto arritje sigurisht që vendi ynë fiton shumë në aspektin diplomatik, duke qenë një faktor bashkimi edhe për faktin se në Kombëtare luajnë futbollistë nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo është magjia dhe fuqia e futbollit, që arrin t’i bëjë bashkë të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë fushe. FSHF ka shpallur strategjinë “Futbolli për Kombin 2022-2025” një vit më parë me objektiva të qartë, që po shndërrohen në realitet ditë pas dite, përmes një punë të madhe, investimesh të mëdha, sakrificash dhe vizioni për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, qoftë edhe atë diplomatik. Patjetër që në këtë optikë FSHF luan një rol kyç dhe ndjehem mirë teksa konstatoj se në shumë raste ka bërë shumë më shumë se vetë shteti shqiptar, duke e kthyer futbollin në një lokomotivë që i prin zhvillimit të shoqërisë shqiptare, madje është më përpara krahasuar me fusha të tjera të jetës.”, ka thënë Duka.