Maqedoni

Shkupi, qyteti i pestë në botë me ajër më të ndotur

14.12.2023 14:27

Me fillimin e sezonit të dimrit fillojnë edhe problemet për qytetarët....

Me fillimin e sezonit të dimrit fillojnë edhe problemet për qytetarët. Ndotja e ajrit jo vetëm që ndjehet, por edhe shihet përmes mjegullës së dendur. Këtë e vërtetojnë edhe matjet zyrtare, ku Shkupi ishte qyteti i pestë më i ndotur në botë këtë mëngjes me indeks të ndotjes 173 dhe prani të grimcave të rrezikshme PM2,5 me përqendrim 82,1 mikrogramë për metër kub ajër.
 
“Ajri është i pashëndetshëm për të marrë frymë. Rekomandohet që të vihen maska mbrojtëse, të mos ushtrohen jashtë dhe të mbahen dritaret e shtëpive të mbyllura.”, shkruan në faqen e internetit iqair.com, e cila merret me matjet e ndotjeve. 
 
Shoqatat ekologjike thonë se duhet të merren masa urgjente për të ulur ndotjen e ajrit në vend. Shteti të subvencionojë në instalimin e fotovoltaikëve dhe rritjes së efikasitetit energjetik nëpër shtëpitë e qytetarëve. 
 
“Vlerësojmë se duhet më shpejtë të zhvillohen këto çështje për shkak se tani është dimër, e shohim se është ajri i ndotur, përsëri dimrin tjetër do të jetë i ndotur, përsëri do të vijmë në situatë të njëjtë. Përse këtë vit të mos mobilizohet ai fond, nëse veç më i kemi financat dhe është e planifikuar që të mobilizohen, për shkak se është e nevojshme. Nëse kanë shtëpitë efikasitet energjetik, atëherë automatikisht do të kenë nevoja më të pakta për energji elektrike. Subvencionimi i qytetarëve që të mund të instalojnë fotovoltaik apo sisteme termale nëpër çatitë e shtëpive, të cilin e shohim se është një problem i madh në Shkup, për shkak se jetojmë në mjegulla.”, - thanë nga “Ekosvest”.
 
Shoqatat ambientaliste kërkojnë që gjendja me ajrin e ndotur të zgjidhet në mënyrë afatgjate me fondin për mjedis jetësor, të cilin institucionet duhet ta vendosin si mekanizëm financiar të pavarur. 
 
ERSAN PAJAZITI