Maqedoni
Kovaçevski nga Brukseli: Korniza negociuese për RMV-në nuk do të ndryshojë
14.12.2023 15:07
Të mos mashtrojmë veten e as qytetarët se mund të ketë ndryshim në kornizën negociuese...

“Të mos mashtrojmë veten e as qytetarët se mund të ketë ndryshim në kornizën negociuese sa i përket procesit të zgjerimit, sepse nga kjo nuk përfitojnë askush.”, porositi kryeministri, Dimitar Kovaçevski, nga Brukseli. Pavarësisht kompleksitetit të situatës në Evropë, Kovaçevski thekson se korniza e BE-së për procesin e zgjerimit është e qartë, lëshime nuk mund të ketë, vetëm pas ndryshimeve kushtetuese vendi mund të mbajë konferencën e dytë ndërqeveritare me BE-në.
Procesi integrues, Kovaçevski: Pengesë, koalicioni pro-rus i opozitës maqedonase
Po ashtu tha se i vetmi faktor ndërlikues pse nuk u mbajt Konferenca e dytë Ndërqeveritare e vendit me BE-në, është koalicioni antievropian, anti-BE, anti-NATO dhe pro-rus në Maqedoninë e Veriut.
“U konfirmua se pengesë e vetme e shtetit kundër BE-së, kundër NATO-s është koalicioni pro-rus i VMRO-DPMNE-së dhe e Majta. Në momentin që të zbatohen ndryshimet e Kushtetutës në Maqedoninë e Veriut, të cilat janë të natyrës teknike, të cilat ju e dini të gjithë, sepse nuk ka asnjë vërejtje për amendamentet, atëherë do të mbahet Konferenca e dytë Ndërqeveritare. Natyrisht, kjo dritare e mundësive që kemi dhe që do ta kemi deri në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe në BE nuk duhet të humbet. Çdo pritje për ndryshim të kornizës negociuese është vetmashtrim dhe mashtrim i qytetarëve nga e cila s’ka interes askush.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
VMRO-DPMNE: Pushteti me akuza tenton të mbulojë dështimet
Deri sa Kovaçevski e adreson opozitën maqedonase si pengesë e integrimit të vendit në BE, VMRO-DPMNE-ja nuk e sheh fajin te vetvetja, por te niveli i lartë i kriminalitetit dhe korrupsionit në vend.
“Maqedonia është e bllokuar, sepse në vend të drejtësisë sundon krimi, sepse Prokuroria e mbron dhe e zhvillon krimin në vend që të jetë e para në luftën për ta parandaluar. Akuzat e tilla që vijnë janë vetëm një arsye për të mbuluar dështimin që ka Maqedonia dhe për këtë fajin e kanë LSD-ja dhe BDI-ja.”, - theksoi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
Ballafaqimi i drejtpërdrejtë me krimin dhe korrupsionin është zgjidhja e duhur, thotë Miteva, për të shtuar se vetëm në këtë mënyrë Maqedonia do të jetë realisht e reformuar dhe e avancuar.
SANIJE DURAKU
