O`Brajan: ShBA-ja pret vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga qeveria e ardhshme e Serbisë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe rrugën drejt integrimit evropian, tha ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O`Brajan.
"Populli serb do të votojë si të dojë. Ne presim që Qeveria t'i përmbahet marrëveshjes që ka bërë në lidhje me Kosovën.", tha O'Brajan, në një intervistë për Zërin e Amerikës. Ai tha se në muajt e fundit është shënuar progres për çështjen e Kosovës, duke shtuar se disa nga çështjet kryesore kontestuese kanë filluar të zgjidhen.
O`Brajan: E ardhmja e Ballkanit, anëtarësimi në BE
Zyrtari amerikan tha se duhet bërë progres i mëtejshëm dhe vuri në dukje se e ardhmja e Ballkanit qëndron në tregun e përbashkët evropian dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
"Për t'u bashkuar me të vërtetë në tregun e përbashkët evropian, të dyja palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, të njohin kufijtë dhe të pajtohen për bashkëpunim. Ne presim që ata të punojnë përsëri, duke filluar me angazhimet që ata tashmë i kanë bërë.", tha O'Brajan.
Derisa ka folur për vazhdimin e negociatave për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, O'Brajan tha se ShBA-ja pret ulje të tensioneve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. (Gyltene Sinani, TVM2)
