Botë

Mbahet Samiti i Këshillit Evropian, diskutohet lufta në Gaza dhe Ukrainë

14.12.2023 16:20

Vendet anëtare të BE-së gjithnjë e më shumë mbështesin një armëpushim në Rripin e Gazës...

Vendet anëtare të BE-së gjithnjë e më shumë mbështesin një armëpushim në Rripin e Gazës, pavarësisht  qasjeve të ndryshme midis tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Samitin e Këshillit Evropian në Bruksel, ku u diskutua lufta në Ukrainë dhe ajo në Gaza. Borrell tha se  duhet të marrin parasysh votimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim në enklavën e rrethuar dhe kërkon një zgjidhje me dy shtete.
 
“Vendet arabe kanë thënë tashmë se nuk do të marrin pjesë në rindërtimin e Gazës, nëse nuk ka një angazhim të fortë nga komuniteti ndërkombëtar për të ndërtuar një zgjidhje me dy shtete. Dhe ne duhet të përqendrohemi në këtë. Ka qasje të ndryshme midis shteteve të BE-së, megjithatë, siç tregoi votimi i javës së kaluar në OKB, ka më shumë shtete anëtare që mbështesin një armëpushim sesa më parë. Gjithnjë e më shumë njerëz po bëjnë presion për një armëpushim.”, - deklaroi shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
 
Ndërkohë presidenti rus, Vlladimir Putin, tha se konflikti në Ukrainë dhe lufta në Gaza nuk duhet të shtrohen në të njëjtën tryezë bisedimesh, pasi këto konflikte nuk i ngjajnë aspak njëri-tjetrit.
 
“Njerëzit në mbarë botën e shohin. Shikoni operacionin special ushtarak dhe atë që po ndodh në Gaza dhe mund ta ndjeni ndryshimin. Nuk ka asgjë të tillë në Ukrainë. Ju përmendët vdekjen e mijëra fëmijëve dhe grave në Gaza, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e quajti Rripin e Gazës varrezat më të mëdha për fëmijët në botë. Ky vlerësim thotë shumë dhe është një vlerësim objektiv.”, - theksoi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
 
Sipas zyrës së komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, për gati dy vite luftë në Ukrainë, janë vrarë mbi 9,000 civilë, prej tyre janë 500 fëmijë dhe janë plagosur mbi 10,000 të tjerë. Ndërkohë vetëm për dy muaj luftë në Gaza janë vrarë 18,700 palestinezë, prej tyre mbi 8,000 janë fëmijë dhe janë plagosur mbi 50,000 persona,. Samiti i Liderëve të BE-së që mbahet në Bruksel me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së, kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU