“Biznes plani në bujqësi”, ndahen 206 kontrata për modernizim

15.12.2023 13:50

Fermerëve iu ndanë 206 kontrata....

Fermerëve iu ndanë 206 kontrata si mënyrë për të shfrytëzuar mjetet deri në 10 mijë euro për blerjen e pajisjeve të prodhimit dhe mekanizimit në kuadër të masës më të re “Biznes Plani në Bujqësi”. Vlera totale e masës është 1,5 milionë euro, në suaza të Programit të Zhvillimit Rural, i prezantuar për herë të parë si pjesë e reformës më të madhe në bujqësi.

“Qëllimi i çdo vendi është të prodhojë sa më shumë ushqim vendor. Për këtë arsye kemi në fokus në rritjen e prodhimit vendor të produkteve bujqësore dhe ushqimore, përmes masave konkrete nga të cilat përfitojnë fermerët dhe qytetarët. Ne po realizojmë një nga prioritetet tona kryesore me më shumë investime për modernizim, për bujqësi të qëndrueshme, produktive dhe fermerë të kënaqur.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Sipas ministrit të Bujqësisë, Nikollovski  ajo që vlen të theksohet nga këto 206 kontrate është përfaqësimi i të rinjve dhe femrave në bujqësi.

“Kjo masë ka rezultuar si një nga më të mirat, ku kemi arritur që të prekim thelbin e pritshmërive të fermerëve, për t'u dhënë atyre pikërisht atë që duan dhe kanë nevojë. Janë miratuar 206 aplikime. Këto janë 206 idetë e shkëlqyera të biznesit bujqësor. Nga 206 marrëveshje, 121 janë bujq të rinj, si dhe 115 janë femra. Vazhdojmë me politikat zhvillimore që bujqësia të mos mbështetet tek subvencionet.”, - theksoi ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.

Nikollovski gjithashtu informoi se para një jave Kuvendi i RMV-së ka miratuar edhe ligjin për shërbime konsulente, ku fermerët do të informohen për të gjitha të rejat në bujqësi, por edhe do të kenë mundësi t’i paraqesin problemet e tyre. (Gazmend Kurtishi, TVM2)