Zbulohet programi i kuqezinjëve anti-armeni, 2 seanca stërvitore në ditë dhe të enjten miqësore
Dy seanca stërvitore në ditë dhe një miqësore të enjten është programi që Xhani De Biazi, tekniku i Kuqezinjëve dhe stafi i tij...

Dy seanca stërvitore në ditë dhe një miqësore të enjten është programi që Xhani De Biazi, tekniku i Kuqezinjëve dhe stafi i tij, kanë përpiluar në kuadër të përgatitjeve të përfaqësueses shqiptare për përballjen e të dielës ndaj Armenisë, në kuadër të kualifikueseve të Europianit “Francë 2016”. Burime nga Federata Shqiptare e Futbollit kanë njoftuar se Xhani De Biazi, tekniku i kuqezinjve dhe stafi i tij, u kanë bërë të ditur lojtarëve të grumbulluar programin stërvitor dhe regjimin, të cilit lojtarët do t’i nënshtrohen gjatë këtyre ditëve.
Sipas programit, kuqezinjtë do të kenë dy procese stërvitore në ditë. Një miqësore të enjten pasdite, ndërsa të premten dhe të shtunën, skuadra do të zhvillojë nga një seancë stërvitore dhe normalisht edhe takimin e përgatitjes taktike të takimit.
Kujtojmë, De Biazi ka grumbulluar 28 lojtarë, ku emri i ri është pikërisht mbrojtësi Naser Alijii, një lojtar i cili shton larmishmërinë e zgjedhjeve që mund të ndërmarrë tekniku italian në repartin e mbrojtjes.
Ndeshja me Armeninë, që do të luhet të dielën në orën 18:00 në “Elbasan Arena” mbyll fazën e parë të ndeshjeve të grupit I, ku Shqipëria renditet në vendin e tretë, pas Portugalisë dhe Danimarkës, teksa grupi mbyllet nga Serbia dhe Armenia.
Xhani De Biazi një ditë më parë, gjatë deklaratës për shtyp, ku u çel zyrtarisht java e “anti¬Armeni” u shpreh se kjo është përballja më e rëndësishme e udhëtimit të tij në stolin e përfaqësueses sonë, pasi një fitore ndaj skuadrës armene do të thoshte shpresa të mëdha për kualifikim.
