Maqedoni
Samiti i BE-së, Ambasadorët: Vendim, sipas vullnetit politik
15.12.2023 15:26
Vendimi i Këshillit Evropian që Ukraina dhe Moldavia të fillojnë negociatat aderuese me BE-në...

Vendimi i Këshillit Evropian që Ukraina dhe Moldavia të fillojnë negociatat aderuese me BE-në edhe përkundër kundërshtimit të Hungarisë dëshmoi se Unioni mund të sjellë vendime politike edhe pa një apo dy vota kur bëhet fjalë për interesa globale, ndërsa për RMV-në dhe Shqipërinë kërkojnë plotësimin e kushteve para hapjes së kapitujve. Ky është reagimi i ambasadorëve të RMV-së pas vendimit të Samitit dyditorë në Bruksel.
“E shihni se si mundet të arrihet diçka kur dëshiron? Kryeministri hungarez doli dhe u miratua vendim 26 minus 1, që i mundësoi Ukrainës dhe Moldavisë që t’i fillojnë negociatat që gjithsesi se nuk nënkupton se nesër do të bëhen anëtare, megjithatë ajo është një hap i madh. Maqedonia ka një kohë të gjatë që po lufton ndoshta 15 vite. Është pak e çuditshme, megjithatë e shohim se si faktorët politikë janë ata që më së shumti ndikojnë për një shtet se si do të rrjedhë qasja e saj në BE.”, - deklaroi anëtari i Këshillit të Ambasadorëve, Gjorgji Filipov.
“Këto çështje janë të rëndësishme për disa situata të mëdha, në interes edhe të vet BE-së. Kjo qartazi është një nga situatat kur vendet anëtare të BE-së vinë në përfundim se ka situata kur duhet të vendosin në mënyrë shumë më të kujdesshme nëse janë në pyetje interesat globale.”, - theksoi anëtari i Këshillit të Ambasadorëve, Tihomir Ilievski.
“Dje mes tjerash ishte e qartë se u shkatërruan të gjitha iluzionet se nuk ka qenë problemi as me Greqinë as me Bullgarinë, tani problemi është shumë më i thellë dhe kyç, gjegjësisht se BE-ja nuk ka miratuar vendim për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimorë si anëtare të plota të BE-së.”, - u shpreh anëtari i Këshillit të Ambasadorëve, Ivica Bocevski.
Diplomatët maqedonas mbetën në qëndrimin se pavarësisht rezultateve dëshpëruese, eurointegrimi duhet të mbetet prioritet strategjik.
FLORIJE KAMBERI
