Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Osmani: Serbia me politika hegjemoniste

15.12.2023 15:58

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor në Kuvend...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor në Kuvend ka ftuar për unitet në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, që siç tha ajo cenohet nga politikat hegjemoniste të Serbisë. Ky rrezik ende nuk ka kaluar, tha Osmani, e cila kërkoi të lihen të gjitha ndasitë në përballjen me Serbinë dhe sfidat e sigurisë.

“Politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit, prandaj ambiciet hegjemoniste të Serbisë nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim dhe Serbia nuk do të heq dorë nga planet e saja të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj, që kanë për qëllim ta godasin BE-në dhe NATO-n nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimoirë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës, të padrejta

Osmani njëherit theksoi se procesi i dialogut me Serbinë po bëhet gjithnjë e më i vështirë, ndërsa mungesa e balancës dhe trajtimit jo të barabartë e ka dëmtuar procesin.

“Kosova akoma përballet me masa të padrejta joproporcionale, të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFORI-it dhe gazetarëve, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo njëherit theksoi se tash më Kosovës i është dorëzuar një propozim – draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët, që duhet të vlerësohet edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas presidentes, qëllimi i përbashkët duhet të jetë të sigurohet përputhshmëri e plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejohet një pushtet i ndërmjetëm i qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë. (Gyltene Sinani, TVM2)