Maqedoni

Ngecja e RMV-së drejt BE-së, Kovaçevski: Bllokimi ka emër e mbiemër

15.12.2023 16:08

Pushteti dhe opozita vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën se kush është fajtor që Maqedonia e Veriut...

Pushteti dhe opozita vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën se kush është fajtor që Maqedonia e Veriut ende është në dhomën e pritjes së Bashkimit Evropian. Kryeministri Kovaçevski duke komentuar rezultatin e Samitit, ku vendi nuk mori dritën jeshile për hapjen e kapitujve, tha se bllokada ka emër dhe mbiemër dhe quhet VMRO-DPMNE. Megjithatë, ai është optimist se vendi ka kapacitet politik që të çoj përpara këtë proces.
 
“Bllokada e procesit integrues të RMV-së ka emër dhe mbiemër, ajo është VMRO-DPMNE-ja. Gjithçka tjetër është defokusim, është ndërrim i tezave dhe gjithçka tjetër është ikje nga realiteti. Ky proces nuk do të mbarojë, procesi i sjelljes së amendamenteve në Kuvend ka filluar dhe unë jam i bindur se Maqedonia e Veriut ka forcë politike dhe ka njerëz me vizion që atë vendim do ta sjellin dhe pas hapjes së kapitujve deri në vitin 2030 do të bëhemi vend anëtarë i BE-së.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Osmani: Mund të ishte festë edhe për ne
 
Edhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, duke uruar Ukrainën dhe Moldavinë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, është shprehur se: “Sot mund të ishte një ditë festimi dhe hapje kapitujsh në vendin tonë, por forcat e errëta antievropiane po mbajnë peng 2 milionë qytetarë. Por, jo edhe shumë gjatë.”, ka shkruar Osmani në profilin e tij në Fejsebuk.
  
Miteva: Maqedonia nuk është shtet funksional 
 
Zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, thotë se vendimet e Samitit në Bruksel janë dëshmi se pushteti  ka drejtuar një politikë të jashtme të gabuar, ndërsa Kovaçevski, në vend që të lobojë për fillimin e negociatave, gjuan koalicionet ruse dhe tregon trillime. 
 
“Nëse Qeveria do të ishte në gjendje të bindte BE-në për vlerat e vërteta, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, atëherë Bullgaria nuk do të ishte pengesë. Maqedonia nuk është shtet funksional, sistemi është shembur, institucionet janë të lëkundura, stabiliteti ekonomik nuk ekziston. Është mjaft e lehtë të identifikohen arsyet kryesore pse Maqedonia nuk i filloi negociatat me BE-në.”, - theksoi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
 
Po ashtu ajo thotë se të gjithë aktorët evropianë kanë zbuluar epidemi korrupsioni në Maqedoni dhe kanë konstatuar se struktura e qeverisë është e paprekshme dhe gjyqësori është mbrojtësi i tyre. 
 
SANIJE DURAKU