Maqedoni
Qeveria teknike, së shpejti takim liderësh Kovaçevski - Mickoski
15.12.2023 16:46
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, paralajmëron se së shpejti pret të ketë takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së...

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, paralajmëron se së shpejti pret të ketë takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në temë “Qeveria teknike”. I pyetur se kur do të takohen me Mickoskin, Kovaçevski u përgjigj se kjo do të ndodhë së shpejti, por siç tha ai, për shkak se bëhet fjalë për çështje teknike, ky takim nuk do të jetë takim pompoz liderësh. Sipas tij, Qeveria teknike është obligim ligjor dhe ligjet duhen respektuar.
“Nëse flasim për sundimin e së drejtës, atëherë nuk mund të themi se një ligj do të respektohet dhe ligji tjetër nuk do të respektohet, ose do të respektohet ky ligj siç është shkruar dhe tjetri do të respektohet në një mënyrë tjetër. Detyrimi im ligjor është 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve si kryetar i Qeverisë që të dorëzoj dorëheqjen time dhe këtë do ta bëj brenda afatit ligjor dhe obligim i partive politike, sipas ligjit është që të delegojnë përfaqësuesit e tyre në Qeverinë teknike, që do t’i realizojë zgjedhjet.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Nga ana tjetër, opozitarja VMRO-DPMNE, ende nuk është deklaruar në këtë temë. Nga kjo parti paralajmëruan mbledhje të organeve partiake pas së cilës do të kumtojnë qëndrimin përfundimtar.
“Deri tek ne nuk ka arritur njoftimi për takim të liderit Hristijan Mickoski me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski dhe vendimi për pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së në Qeverinë teknike do të merret javën e ardhshme.”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Më së voni deri më 28 janar duhet të formohet Qeveria teknike, kohë në të cilën duhet të dorëhiqet kryeministri aktual. Sipas marrëveshjes së arritur mes LSDM-së dhe BDI-së në vitin 2020, BDI-ja për këtë pozicion propozoi kryetarin aktual të Kuvendit, Talat Xhaferi, ndërsa në vend të tij do të zgjidhet deputeti, Jovan Mitrevski.
FLUTURA LATIFI
