Maqedoni
Zhvillime negative demografike, deri në vitin 2070, popullsia do të bie në 1,3 milionë
15.12.2023 17:17
Nëse nuk ndryshon asgjë dhe mbeten parametrat nga viti 2022...

Nëse nuk ndryshon asgjë dhe mbeten parametrat nga viti 2022, popullsia totale do të ulet në 1,3 milionë banorë deri në vitin 2070, tregojnë shtatë projeksionet për popullsinë e Entit Shtetëror të Statistikave. Këto zhvillime demografike, sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, qytetarët nuk duhet t’i përcjellin me tronditje, frikë dhe pesimizëm, por t’i shohin ato si një mundësi për të krijuar politika gjithëpërfshirëse, sistematizim dhe shfrytëzim më të fuqishëm të kapitalit njerëzor.
“Më shumë se 100 mijë qytetarë, të cilët në vitin 2002 ishin nga 15 deri në 29 vjeç dhe sot do të ishin 29 deri në 35 vjeç, nuk janë në vend, pra nuk janë të regjistruar në regjistrimin e fundit të vitit 2021. Ky trend përsëritet edhe te fëmijët e moshës 0 deri në 9 vjeç, të cilët sot do të ishin 20 deri në 29 vjeç, pra 16 për qind e këtij grupi mungon në regjistrimin e fundit. Të dhënat e censusit treguan një tendencë të qartë të largimit të të rinjve në këto 20 vite. Parashikimet tregojnë se trendi do të vazhdojë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Sipas Bytyqit, për 20 vite dikush i fshehu nën tapet këto të dhëna shqetësuese dhe nuk bëri asnjë veprim. Sipas tij, vitet e ardhshme janë shans për të bërë një ndryshim të vërtetë.
”Po u kërkoj të gjithëve ata, tek të cilët mund të arrijë ky mesazh i imi, që të jenë korrigjuesit e kësaj dhe jo kritikuesit. Të jesh në gjendje të shikosh të dhënat, sfidat, pa dëshirën për të fajësuar, por me dëshirën për t'u përmirësuar. Duke kuptuar kontekstin më të gjerë që po ndodh rreth nesh dhe duke kuptuar vendin dhe rolin tonë në të.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Në Konferencë po ashtu u theksua se shoqëritë gjithëpërfshirëse janë shumë më rezistente ndaj ndryshimeve demografike dhe se zgjidhja qëndron në përfundimin e integrimit drejt Bashkimit Evropian dhe rritjes ekonomike.
FITIM KRYEZIU
