Maqedoni

29 vite Universiteti i Tetovës, themelimi i UT-së, e arritur kombëtare

15.12.2023 17:34

Universiteti i Tetovës është e arritur me e madhe e popullit shqiptar në Maqedoni....

Universiteti i Tetovës është e arritur me e madhe e popullit shqiptar në Maqedoni. 29 vite që nga themelimi UT-së ka kaluar nëpër shumë sfida dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në arsimimin dhe profesionalizmin e shumë gjeneratave, tha rektori i UT-së, Jusuf Zendeli.
 
“Nga viti 1994 deri më sot, 29 vite veprimtari në shërbim të arsimit të lart. Universiteti i Tetovës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në arsimimin e shumë brezave që janë profesionalizuar si profesionist në fusha e sfera të ndryshme e sot me plotë të drejtë krenohemi ku ato mbajnë edhe pozita udhëheqëse në institucionet më të larta shtetërore.”, - deklaroi rektor i UT-së, Jusuf Zendeli. 
 
Universiteti i Tetovës është simbol i popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, tha ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
 
“Investimi në arsim është investim për ardhmërinë e shoqërisë, ndërsa si shqiptar këtij suksesi të sotëm i gëzohemi dyfish. Është ky institucion që trazoi rrugën për zhvillimin e arsimit shqip, gjuhës dhe kulturës tonë kombëtare, duke përjetësuar historinë tonë si simbol i jetësimit të idealeve kombëtare.”, - theksoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. 
 
Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se UT-ja ka prapa vetes një popull të tërë.
 
“Universiteti i Tetovës ka prapa vetes një popull të tërë, i cili e din vlerën e arsimit në gjuhën amtare, por edhe e ndjeu në lëkurën e vetë mohimin e kësaj të drejte themelore. Sot kur shënojmë 29 vjetorin e themelimit, shohim edhe ngritjen, integrimin, zgjerimin dhe avancimin e kësaj vatre arsimore.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, premtoi se nuk do të mungojnë investimet nga Qeveria për UT-në. Ndërkohë, rektori Jusuf Zendeli tha se vitin që vjen do të nisë ndërtimi i Bibliotekës së Universitetit të Tetovës dhe kërkoi mbështetje nga institucione që ta përkrahin.
 
VISAR SADIKI