Botë

Izraeli vendos hapjen e vendkalimit Kerem Shalom për hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, SHBA: Hap i rëndësishëm!

15.12.2023 21:33

Izraeli do të hapë vendkalimin Kerem Shalom për të lejuar ndihmën humanitare në Gaza....

Izraeli do të hapë vendkalimin Kerem Shalom për të lejuar ndihmën humanitare në Gaza.
 
Vendimi u miratua nga kabineti izraelit të premten. Kerem Shalom është vendkalimi i dytë që hapet për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare, pas kalimit Rafah që lidh Gazën jugore dhe Egjiptin.
 
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i cili sapo ka përfunduar një vizitë në Izrael, e përshkroi këtë veprim si “një hap të rëndësishëm”.
 
“Presidenti Biden e ngriti këtë çështje në bisedat e fundit telefonike me kryeministrin Netanyahu dhe ishte një temë e rëndësishme diskutimi gjatë vizitës sime në Izrael gjatë dy ditëve të fundit”- tha në një deklaratë për mediet Sullivan.
 
“SHBA mbetet e përkushtuar për zgjerimin dhe mbajtjen e fluksit të ndihmës humanitare në Gaza”.
 
Kalimi Kerem Shalom ndodhet në cepin jugor të Gazës, në kufirin e saj me Izraelin dhe Egjiptin. Ai u mbyll pas sulmit të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit dhe reagimit të mëpasshëm ushtarak të Izraelit.
 
Megjithatë, ditët e fundit është përdorur si pikë kontrolli për të përshpejtuar procesin e kontrollit në vendkalimin Rafah.
 
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se hapja e kalimit Kerem Shalom do t’i lejonte Izraelit të vijojë zbatimin e masave për të lejuar hyrjen e 200 kamionë me ndihma në ditë për në Gaza – të rënë dakord gjatë ndërmjetësimit të një marrëveshje pengjesh dhe që hyri në zbatim muajin e kaluar.
 
Kalimi Rafah me Egjiptin ka mundur vetëm të lehtësojë hyrjen për 100 kamionë në ditë, sipas Izraelit.