Maqedoni
BDI në bisedime me VMRO-në rreth Ligjin për Vendbanim
24.03.2015 15:26
Partnerët e koalicionit të shumicës assesi të bien dakord për propozim-ligjin për letërnjoftime dhe atë për vendbanim dhe vendqëndrim...

BDI mbetet në qëndrimin se ligjet duhet të tërhiqen, ndërkaq VMRO-DPMNE nuk bën asnjë lëshim. Si pasojë e dallimeve thelbësore rreth këtyre projekt-ligjeve u shty paafat seanca e Komisionit për Sistem Politik ku duhej të shqyrtohen këto ligje në lexim të dytë.
Ligjin për Letërnjoftime BDI do ta rrëzojë gjatë votimit të dyfishtë, por si do të veprojë me projektligjin për vendbanim dhe vendqëndrim, i cili miratohet me shumicë absolute, 62 vota për, BDI ende nuk ka një vendim të prerë?
“Një ligj të atillë nuk do ta përkrahim, që d.m.th. gjithsesi, nëse vijnë në rend dite, në fazën e dytë, në seancë plenare ne do të përdorim votimin e Badenterit, që d.m.th. nuk do ta votojmë dhe me automatizëm ai ligj nuk do të kalon. Sa i përket Ligjit për Vendbanime, gjithsesi se jemi në bisedime me partnerët e koalicionit dhe jorastësisht sot seanca për sistem politik u ndërpre. Varet kur do ta shohim të arsyeshme që ajo seancë të vazhdojë”- deklaroi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.
Edhe PDSh-ja është kundër këtyre dy projektligjeve, pasi vlerëson se me to pretendohet “shfarosja” e mërgimtarëve shqiptarë. Ajo fajëson ministrat dhe zëvendësministrat shqiptarë, të cilët paraqiten si propozues të projektligjeve të tilla dhe u japin mbështetje në seancat e qeverisë.
“PDSh, vendosmërisht është kundër këtyre ligjeve. Amendamentet nuk mund t’i përmirësojnë këto ligje e as të parandalojnë miratimin e tyre. Mos i gënjeni kot shqiptarët. E vetmja zgjidhje që parandalon shfarosjen e mbi 200 mijë mërgimtarë shqiptarë, ashtu si parashohin ligjet tuaja, është tërheqja e menjëhershme e tyre dhe bartja e përgjegjësisë te ministrat e BDI-së dhe vet BDI-ja që lejojnë trafikimin e përditshëm të ligjeve antishqiptare”- tha deputeti i PDSh-së, Gazmend Aliu.
Sipas PDSh-së, edhe propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Letërnjoftim dhe propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për Paraqitje të Vendbanimit dhe Vendqëndrimit janë njësoj si ndryshimet kushtetuese, si Ligji për Avokatin e Popullit dhe stema, që përgatiten në qeveri dhe pastaj dërgohen në parlament për t’u miratuar.
SHPËTIM NUREDINI
