Maqedoni

Zoran Zaev: do të pasojnë materiale që do të mbushin kupën

24.03.2015 15:29

Mbyllja e TV A1, çështja e emrit, vdekja e Nikolla Mladenovit, vrasja e të riut, Martin Neshkovski, si dhe rasti "Monstra"...

Mbyllja e TV A1, çështja e emrit, vdekja e Nikolla Mladenovit, vrasja e të riut, Martin Neshkovski, si dhe rasti "Monstra" janë materialet e përgjuara të cilat pas publikimit do të mbushin kupën tek qytetarët dhe s’do ketë më për çfarë të diskutohet.
 
Kështu ka deklaruar në një intervistë për DW-në lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, sipas të cilit, nëse kryeministri, Nikolla Gruevski, do të ishte njeri i mençur, pas publikimit të “bombës” së parë do të jepte dorëheqje.
 
“Qytetarët do të dinë se deri ku ka shkuar Gruevski me çështjen e emrit, çka ka ndodhur me Martin Neshkovskin, për krimet financiare, çka ka ndodhur me rastin e mbylljes së A1 dhe me raste tjera, siç është rasti “Monstra”, me Nikolla Mlladenov. Koha e Gruevskit ka kaluar. Qeveri kalimtare duhet të ketë dhe zgjedhje. Kjo është e paevitueshme”- ka deklaruar Zaevi.
 
Lideri i opozitës maqedonase vlerëson se që nga fillimi i publikimit të audio-xhirimeve, kryeministri Gruevski ka sjellje joracionale dhe po rrezikon interesat e Maqedonisë. Ai nuk përjashton edhe mundësinë që qytetarët të dalin në rrugë nga revolta.
 
“Ne do të tentojmë maksimalisht t’i kontrollojmë këto zhvillime. As unë, e askush në LSDM nuk dëshirojnë skenare të tilla, por gjithçka mund të ndodhë. Për këtë shkak shpresoj që së shpejti të ketë dorëheqje, sesa të vijë ndonjë ditë kur ne nuk do të mund të kontrollojmë atë revoltë”- ka thënë Zaevi.
 
Sa i përket sigurisë së tij personale, Zaev ka thënë se gjithë këto vite ai ka qenë kritikues i qeverisë dhe se nuk ka kalkuluar asgjë personale në interes të shtetit.
 
SANIJE KASAMI