Maqedoni

Në Panairin e Shkupit u hap Panairi Ndërkombëtar i Mobilierisë

24.03.2015 15:32

Prej sot e deri më 29 mars, në Panairin e Shkupit do të jetë i hapur Panairi Ndërkombëtar i Mobilierisë...

Në këtë panair janë ekspozuar modelet më të reja të mobiljeve për shtëpi dhe institucione, repromatriale dhe makineri për industrinë e mobiljeve.
 
“Këtë vit është panairi më i madh që e kemi organizuar deri më tani. Është përfshirë tërë kapaciteti i panairit. Edhe këtë vit Panairi i Shkupit do t’i shpërblejë tregtarët dhe prodhuesit më të mirë në dy kategori”- deklaroi drejtoresha operative në Panairin e Shkupit, Magdalena Hambova.
 
Në panair po marrin pjesë 400 kompani vendore dhe të huaja, në mesin e të cilave edhe Kompania “Inter Fantazi” nga Tetova. 
 
“Ne në Panairin e Shkupit jemi të rregullt, marrim pjesë për çdo vit, për interesimin, meqë jemi në fillim të hapjes, si duket interesimi është i mirë. Si çdo vit, edhe këtë vit ne prezantohemi me modelet më të reja, si kompletet e dhomave të ditës ashtu edhe për dhomat e gjumit. Ne jemi prodhues nuk jemi tregtarë dhe normalisht blerësit kanë më tepër leverdi. Kemi shkuar me çmime sa më të volitshme për blerësit”- tha Hisen Hasani nga Kompania “Inter Fantazi” nga Tetova. 
 
Panairi është i shtrirë në hapësirë prej 16 mijë metrash katrorë,  në 10 salla, ndërsa do të prezantohen mbi dhjetë mijë mobilje.
 
Ai do të jetë i hapur për çdo ditë prej orës 10 deri në orën 20, ndërsa të dielën deri në orën 17.
 
GYLTENE SINANI