Maqedoni

Strugë, edhe këtë vit qyteti do të dekorohet, organizime do të ketë vetëm në objektet hotelierike

17.12.2023 16:37

Duke qenë se jemi në mes të dhjetorit dhe pothuajse shumë qytete tashmë kanë filluar dekorimin...

Duke qenë se jemi në mes të dhjetorit dhe pothuajse shumë qytete tashmë kanë filluar dekorimin e qendrave kryesore, edhe qytetarët e Strugës dhe turistët janë në pritje për dekorimin e qytetit të urave dhe poezisë për festat e fundvitit.
 
Nga komuna e Strugës për TVM2 e konfirmuan dekorimin e qytetit, duke qenë se Struga është qytet turistik duhet të bëhet edhe më atraktive për festa. Do të dekorohen rrugëkryqet në hyrje të qytetit, rrugët e qytetit në qendër dhe shëtitoret e Drinit të Zi. 
 
“Siç e dëshriojnë qytetarët duam që si çdo vit të dekorohoet qyteti të krijohet ajo atmosfera e ndërrimit të motmoteve që sigurisht të gëzohen sidomos të rinjtë, fëmijët në ato vende të ndriçuara të lëvizin të fotografohen dhe të krijojnë një atmosferë që me të vërtet e meritojnë dhe të përgatitemi për një vit të ri, me buxhet të ri, me mundësi të reja dhe projekte të reja për të krijuar kushte sa më tmira për qytetarët e Strugës dhe jo vetëm”, u shpreh kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko.  
 
Vitet e fundit në Strugë nuk janë organizuar evente për pritjen e Vitit të Ri, por edhe këtë vit nuk ka ndryshim. Nuk është paraparë organizim në qendër të qytetin, kjo për shkak se struganët preferojnë të presin ndërrimin e viteve në ambientet shtëpiake.
 
Megjithatë, të ketë organizime dhe evente të ndryshme në objektet hotelierike, të cilët thonë se interesimi i turistëve ka qenë mjaft i madh për të pritur festat në Strugë. 
 
“Mendoj se nuk kanë dal të suksesshme pikërisht eventet e tilla dhe prandaj nuk e kemi vazhdiar një traditë të tillë sepse secili mundohet të krijojë një ambient të mirë në familje ose kudo ku shkon për ta festuar vitin e ri”, theksoi Merko.
 
“Për festat e fundvitit, çdo vit Hotel Drim është pothuajse i mbsuhur, ndërsa këtë vit është komplet i mbushur. Mendoj që ajo është për shkak të një tradite që hoteli me vite e bën, sepse kemi programë, e cila nuk përfshin vetëm qëndrimin në hotel por është një koncept i paketit all inclusive, lundrim me varkë, ku turistët shohin një pjesë tjetër të Strugës dhe Ohrit, drekë në liqen dhe pritjen e vitit të ri”, u shpreh menaxhere hoteli Ana Jancheva.
 
Për dekorimin e qytetit nga Komuna e Strugës është ndarë një buxhet prej mbi 1 milionë denarë dhe  punimet për dekorimin priten në fillim të javës që vjen. Sa i përket turizmit, Struga ende mbetet një destinacion i preferuar për shumë turistë nga vendi dhe vendet fqinje për të kaluar festat e fundvitit. 
 
ILMIJE ZHAKU