Maqedoni
Tuberkulozi, përqindje e ulët e të prekurve në Maqedoni
24.03.2015 15:53
Maqedoni që është ndër vendet me përqindje më të ulët e të prekurve nga tuberkulozi apo me më pak se 20 persona në 100 mijë banorë...

Kjo u tha me rastin e “Ditës botërore të tuberkulozit” nga ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, i cili bëri të ditur se në vitin 2014 janë zbuluar 285 raste me tuberkulozë, d.m.th. 38 raste më pak në krahasim me vitin 2013.
“Tuberkulozi ende është sëmundje e popullatës së re dhe më shumë janë të përfshirë personat prej moshës 25 deri në 45 vjeç, ndërsa gjatë vitit 2014 më shumë ka dominuar grupmosha prej 25 deri më 34 vjeç, me 20,4% nga rastet e përgjithshme të regjistruara. Pastaj vjen grupmosha prej 44 deri në 54 vjeç, me 18, 2 për qind, ndërsa të moshuarit prej 55 deri në 64 vjeç dhe personat prej 65 janë të prekur me rreth 15 %”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
“Përveç zvogëlimit në kontinuitet të rasteve të reja të zbuluara me tuberkulozë, në 10 vitet e fundit është vërejtur zvogëlimi i numrit të të vdekurve. Në vitin 2014 është regjistruar vetëm një rast i një të sëmuri nga tuberkulozi me infeksion hiv pozitiv, ndërsa gjatë 5 viteve të kaluara nuk ka të regjistruar asnjë rast me të sëmurë nga tuberkulozi me status hiv pozitiv”- tha drejtoresha e Institutit për Sëmundje të Mushkërive, Biljana Ilievska-Popovska.
Njëherit, u bë e ditur se vitin e kaluar me mjete të Fondit Global dhe Ministrisë së Shëndetësisë është siguruar veturë speciale për teren për kontrollime preventive, me të cilët janë kryer më shumë se 2500 incizime të personave të rrezikuar në disa institucione, si: në burgje, spitale psikiatrike dhe te popullata rome.
Po ashtu, në vitin e kaluar është vendosur edhe testi kvantiferon për diagnostikimin e infeksionit latent të tuberkulozit te grupet e ndryshme.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
