Hendboll femra: Finaleja e pestë në Botërore mes Norvegjisë dhe Francës
Hendbollistet e Francës dhe Norvegjisë do të përballen sonte nga ora 19:00 në finalen e Kampionatit Botëror...

Hendbollistet e Francës dhe Norvegjisë do të përballen sonte nga ora 19:00 në finalen e Kampionatit Botëror. Për të dyja skuadrat kjo do të jetë hera e pestë në nëntë kampionatet e fundit që do të takohen në betejën vendimtare për medaljen e artë.
Historia e dueleve të ndërsjella në finale nis 24 vite më parë kur Norvegjia fitoi 25:24 pas një shtese prej pesë minutash dhe vazhdoi 12 vjet më vonë me një triumf të ri për skandinavet që ngadhnjyen 32:24 në Brazil.
Në vitin 2017 Franca më në fund arriti të ndalte serinë e humbjeve dhe në Botërorin e zhvilluar në Gjermani në një betejë të pasigurt mposhti kundërshtarin me 23:21. Dy vite më vonë në kampionatin e fundit të organizuar nga Spanja, norvegjezet fituan një titull të ri dhe sonte në Herning do të tentojnë të mbrojnë fronin dhe të arrijnë arin e pestë në histori ose gjithsej medaljen e 12-të në Kampionatet Botërore.
Dy kombëtaret kishin tashmë një duel në turin kryesor të kampionatit kur në ndeshjen e grupit të dytë që vendosi kush do të fitonte vendin e parë, Franca festoi me 24:23, që është humbja e vetme e norvegjezeve në Botëror deri tani. Franca nga ana tjetër, ka fituar gjashtë medalje në Kampionatet Botërore, duke përfshirë dy të arta dhe katër të argjendta, dhe të gjitha janë nën drejtimin e trajnerit Olivier Krumbolz, i cili njoftoi se do të largohet pas Lojërave Olimpike në Paris vitin e ardhshëm.
Ndeshja luhet në qytetin danez Herning, ndërsa fillimi është caktuar për nga ora 19:00. Ndërkohë, në duelin për medaljen e bronztë, nga ora 16.00 takimin e tyre e zhvillojnë koorganizatorët, Danimarka dhe Suedia.
