Botë

Vuçiqi feston fitoren, opozita kërkoi anulimin e zgjedhjeve në Beograd

18.12.2023 10:05

Përderisa partia në pushtet e presidentit, Aleksandër Vuçiq, feston fitoren në zgjedhjet parlamentare të Serbisë...

Përderisa partia në pushtet e presidentit, Aleksandër Vuçiq, feston fitoren në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, opozita ka akuzuar qeverinë serbe për vjedhjen e vullnetit elektoral në zgjedhjet e Beogradit, ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale në kryeqytet dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të protestojnë.

Shumicën në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Serbi e ka fituar lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, e cila ka fituar 47,21 për qind të votave, ka bërë të ditur Komisioni Republikan i Zgjedhjeve. Këto janë rezultatet e marra në bazë të 7,612 vendvotimeve të përpunuara nga gjithsej 8,273. 
 
Vijon lista “Serbia kundër dhunës”, e cila ka fituar 22,86 për qind të votave, pastaj Partia Socialiste e Serbisë – 6,67, ndërsa lista zgjedhore “Shpresë për Serbinë” ka 4,94 për qind. Lista e radhës është “Ne – zëri i popullit – Branimir Nestoroviq” me 4,63 për qind, ndërsa Milica Gjurgjeviq Stamenkovski – Boshko Obradoviq kanë 2,8 për qind të votave. Sipas ketyre rezultateteve, partia e presidentit Vuçiq ka fituar 131 vende në Kuvend, SPS-ja e Ivica Daçiqit vetëm 18 ulëse, 4 ulëse në Kuvendin Serb kanë fituar dy lista boshnjake, ndërsa Shaip Kamberi nuk e ka siguruar ende ulësen në Parlament, raporton Front Online.