Maqedoni
ShGM: të tërhiqen paditë gjyqësore mes gazetarëve
24.03.2015 16:46
19 raste për shpifje dhe ofendim janë në procedurë në gjykatat e vendit, prej të cilave 11 raste janë të iniciuar nga gazetarë për gazetarë...

19 raste për shpifje dhe ofendim janë në procedurë në gjykatat e vendit, prej të cilave 11 raste janë të iniciuar nga gazetarë për gazetarë, në krahasim me vitin 2012, ku kishte 330 padi për shpifje dhe ofendim.
Nga SHGM-ja thonë se rastet duhet të zgjidhen në harmonizim me praktikën e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejta të Njeriut, ndërsa rastet ku të dy palët janë gazetarë duhet të tërhiqen, pasi me këtë thyhet kredibiliteti i gazetarëve para opinionit.
Liria e të shprehurit dhe mediat stabile janë element kyç dhe bazë për një shoqëri demokratike, ku me shkurtimin e të drejtës së gazetarit për të informuar, njëkohësisht shkurtohet edhe e drejta e opinionit për t’u informuar.
“Duhet të sigurojmë atmosferë në Maqedoni që ky ligj të implementohet. Me dekriminalizimin duheshte të ndryshojnë vetëdijen e të gjithëve ne, politikanëve të cilët duhet të kuptojnë se në shoqëri demokratike pragu i tolerancës drejt kritikës publike duhet të jetë më i lartë. Duheshte të punojmë me gjykatësit që të kuptojnë se praktika e GJND-së është pjesë e legjislativës sonë dhe gjatë vendimeve duhet të implementojnë këtë praktikë. Duhet të punojmë me gazetarë që të kuptojnë se liria e të shprehurit është njëra anë, ndërsa tjetra është përgjegjësia jonë”- deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Deri më tani, Gjykata Ndërkombëtare për të Drejta të Njeriut në asnjë lëndë kundër Maqedonisë nuk ka konstatuar shkelje të nenit 10, që garanton lirinë e të shprehurit.
Nga GJND-ja rekomandojnë që paraprakisht të shteren të gjitha instancat gjyqësore para se t’u drejtohen atyre ndërkombëtare.
“Deri më tani, Gjykata Ndërkombëtare për të Drejta të Njeriut nuk ka miratuar asnjë aktvendim në të cilën në mënyrë direkte është konstatuar thyerje e nenit 10, gjegjësisht lirinë e të shprehurit nga Konventa Evropiane”- tha agjenti qeveritar i RM-së për përfaqësim para GJND-së, Kosta Bogdanov.
FLORIJE KAMBERI
