Maqedoni
KE stimulon gazetarinë hulumtuese, konkurs rajonal për storie më të mirë
24.03.2015 17:02
Komisioni Evropian hap konkurs rajonal për gazetari hulumtuese...

Ky komision, së bashku me Institutin Maqedonas për Media promovuan çmimin e ri të BE-së, i cili në këtë periudhë është i hapur për konkurrim në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Turqinë.
Konkursi do të organizohet tre vite me radhë dhe qëllimi kryesor është stimulimi i gazetarisë hulumtuese. Aplikimet në Maqedoni mund të dorëzohen te IMM-ja deri më 23 prill, ndërsa ndarja e çmimeve pritet të bëhet në qershor të këtij viti.
“Ju ftojmë, nëse gjatë vitit 2014 si gazetar keni hulumtuar në temat në lidhje me transparencën e institucioneve, korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit lokal, mosrespektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe krimin e organizuar në vend, të paraqiteni në këtë konkurs”- deklaroi drejtori i IMM-së, Biljana Petkovska.
Për këtë çmim mund të konkurrojnë storiet hulumtuese të botuara në të gjitha mediat, përfshi këtu edhe konkurrimin në grup. Organizatorët thonë se me këtë do të sigurohet lira e shprehjes, e përfshirë në strategjinë për zgjerim të BE-së.
“Mendoj se është shumë rëndë të investosh në gazetari dhe të jesh inovativ në të njëjtën kohë, por nga ana tjetër kjo mund të jetë edhe shumë e dobishme, varësisht nga rezultati të cilin dëshirojmë ta arrijmë”- tha Robert Liddle nga KE.
Fondi i përgjithshëm i mjeteve për vendet fituese të Ballkanit do të kapë vlerën deri në 210 mijë euro. Çmimi vjetor për secilin vend fitues kapë vlerën deri ne 10 mijë euro dhe kjo e drejtë mund të shfrytëzohet për t’i shpërblyer tre gazetarë gjithsej brenda një viti, me vlerë deri në 5 mijë euro.
Gazetari i përzgjedhur me storien më të mirë do të ftohet gjithashtu për vizitë studimore në Guardian Observer.
REXHEP QAMILI
