Maqedoni
VMRO-DPMNE: BDI-LSDM, shkaku i bllokimit të Maqedonisë në BE
18.12.2023 14:25
VMRO-DPMNE-ja akuzon LSDM-në dhe BDI-në për ngecjen në rrugën eurointegruese dhe moshapjen e kapitujve me BE-në....

VMRO-DPMNE-ja akuzon LSDM-në dhe BDI-në për ngecjen në rrugën eurointegruese dhe moshapjen e kapitujve me BE-në. Sipas VMRO-DPMNE-së, politika e jashtme është kthyer në teatër politik. Sipas tyre, RMV-së i duhet një rifillimi i plotë, luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe diplomaci me kapacitet për ta përfaqësuar vendin me dinjitet.
“Nëse LSD-ja dhe BDI-ja pak do të kishin treguar kapacitet shtetëror, po të kishin përdorur të gjithë mekanizmat që thoshin se kishin, po t’i luteshin miqtë me të cilët mburreshin për të bindur Bullgarinë të largohej nga salla për një kohë të shkurtër, do të ndërtohej një pozicion më i mirë për Maqedoninë dhe tani edhe vendi ynë, së bashku me Ukrainën do të fillonin negociatat me BE-në. Krimi i Kovaçevskit dhe Ahmetit i kushtuan Maqedonisë një bllokadë të re. Askush nuk e sheh Maqedoninë si shtet të rregullt dhe ligjor, për fat të keq, për shkak të fuqisë së LSD-së dhe BDI-së, Maqedonia për politikanët evropian nuk është e gatshme të fillojnë negociatat në gjendje në të cilën ndodhet.”, - deklaroi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE-ja.
LSDM: VMRO dhe e Majta, fajtorët e bllokimit
Nga ana tjetër, LSDM-ja akuzon se DPMNE-ja dhe e Majta janë arsyeja e vetme pse shteti nuk e nisi procesin e hapjes së kapitujve, pavarësisht procesit të skriningut të përfunduar me sukses, mbështetjes së fortë dhe të qartë dhe dyerve të hapura të BE-së.
"Bllokadat destruktive aktive të DPMNE-së në Kuvendin e Maqedonisë janë në dëm të shtetit dhe të gjithë qytetarëve. Ndaj, në zgjedhje do të dënohen dhe mposhten bllokuesit e rrugës evropiane, DPMNE-ja dhe e Majta. Me fitoren e frontit evropian të udhëhequr nga LSDM-ja në zgjedhjet e dyfishta, rruga evropiane vazhdon drejt anëtarësimit të plotë në BE, sepse qytetarët meritojnë më mirë dhe më shumë, meritojnë një të ardhme evropiane!", thuhet në reagimin e LSDM-së.
FLORIJE KAMBERI
