Botë

Tragjedi në Francë, 150 viktima nga rrëzimi i aeroplanit

24.03.2015 17:04

Një aeroplan, që fluturonte mes Barcelonës dhe Diseldorfit, është rrëzuar në Alpet në jug të Francës, duke shkaktuar vdekjen e 144 udhëtarëve dhe 6 anëtarëve të ekuipazhit...

Shumica e pasagjerëve kanë qenë shtetas gjermanë, ndërsa 45 prej tyre shtetas spanjollë. Të dhënat e para flasin se aeroplani i “GermanWings”, i rrëzuar në jug të Francës, po udhëtonte shumë ulët.
 
Sipas “France Info”, avioni është përplasur në kuotën e 1800 metrave, ndërkohë që lartësia e malit ku është rrëzuar arrin në 3 mijë metra. 
 
Presidenti francez, Françoise Hollande, nëpërmjet një fjalimi në televizionin shtetëror ka njoftuar se nuk ka asnjë të mbijetuar nga ky aksident tragjik dhe se mes viktimave ka shumë shtetas gjermanë.
 
“Të dhënat flasin se nuk ka të mbijetuar. U shpreh ngushëllime familjeve të viktimave për këtë tragjedi. Është një tragjedi e re ajrore dhe ne duhet të zbulojmë shkaqet e saj dhe këtë ta ndajmë me autoritetet e vendeve të prekura nga tragjedia, Spanjën dhe Gjermaninë, e sigurisht edhe me familjet e viktimave. Ne jemi në zi, sepse kjo tragjedi ndodhi në tokën tonë. Jemi të shqetësuar se aksidenti ndodhi në një zonë që vështirë të arrihet”- deklaroi presidenti i Francës, Françoise Hollande.
 
Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, thanë se ishin të “shokuar” nga rrëzimi i aeroplanit. 
 
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, tha se shteti gjerman ka ngritur një ekip krize, që do të përpiqet për të marrë detaje se si ndodhi kjo katastrofë.
 
“Ne jemi në kontakt të afërt me autoritet franceze. Ne do të punojmë bashkërisht dhe unë dua të falënderoj qeverinë franceze, e cila ka reaguar menjëherë. Në këto orë të vështira, vëmendja jonë është me ata që jetojnë me frikën se të afërmit e tyre janë në mesin e udhëtarëve ose të anëtarëve të ekuipazhit”- tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
 
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, operacioni i ndërhyrjes së shpejtë po zhvillohet në kushte tepër të vështira, pasi aeroplani është përplasur në zonë të thellë malore.
 
ERSAN PAJAZITI